spot_img
Sunday, November 24, 2024
spot_img

Gonorrea po u reziston më shumë ilaçeve, “mund të bëhet e patrajtueshme”

Gonorrea po bëhet gjithnjë më shumë rezistente ndaj antibiotikëve dhe mund të bëhet e patrajtueshme në të ardhmen, kanë paralajmëruar zyrtarët shëndetësorë, ndërsa në një raport zbulohet rritja e numrit të rasteve të rënda në Angli.

Vitin e kaluar, në Angli u regjistruan 85 mijë raste të personave me gonorre, niveli më i lartë që nga fillimi i regjistrimit të tyre më 1918. Nëse lihet pa u trajtuar, infeksioni mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore, përfshirë sëmundjen ndezëse të legenit dhe shterpësinë, raporton gazeta “The Guardian”.

Shumica e rasteve mund të trajtohen, por rishtazi është shënuar rritje e numrit të personave të diagnostikuar me infeksione që janë rezistente ndaj ceftriaxone-s, antibiotik i “linjës së parë” që zakonisht përdoret për trajtimin e gonorresë.

Shumica e të prekurve ishin në të njëzetat e tyre, heteroseksualë dhe e kishin marrë infeksionin jashtë vendit, edhe pse disa nuk kishin histori udhëtimesh, sipas Agjencisë për Siguri Shëndetësore të Mbretërisë së Bashkuar. Agjencia e shëndetit publik konfirmoi se ka pasur transmetim të gonorresë rezistente ndaj ceftriaxone-s në Angli.

Ajgencia për Siguri Shëndetësore do të publikojë të enjten në raport që e vë në pah shtimin shqetësues të rasteve me gonorre rezistente ndaj antibiotikëve dhe për t’u bërë thirrje njerëzve që ta mbrojnë veten duke përdorur kondoma.

Sipas kësaj agjencie, nga qershori i vitit 2022 deri në majin e vitit 2024, 15 raste me gonorre rezistente ndaj ceftriaxone-es janë zbuluar në Angli.

Për shkak të natyrës serioze të infeksioneve rezistente ndaj ilaçit, disa prej 15 personave të infektuar u desh të spitalizoheshin dhe të merrnin një përzierje të ilaçeve të fuqishme për ta parandaluar përhapjen e gonorresë në pjesë të tjera të trupit.

Dr. Helen Fifer, mikrobiologe konsulente në Agjencinë për Siguri Shëndetësore, tha: “Gonorrea po bëhet gjithnjë më rezistente ndaj antibiotikëve, duke rrezikuar për mundësinë që të bëhet e patrajtueshme në të ardhmen. Gonorrea e patrajtuar mund të çojë në probleme serioze shëndetësore, përfshirë sëmundjen ndezëse të legenit dhe shterpësinë. Kondomat janë mbrojtja më e mirë, por nëse nuk përdorni një të tillë me një partner të ri ose të rastit, testohuni për ta zbuluar infeksionin dhe për ta parandaluar transmisionin e mëtutjeshëm.”

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit