Një faqe italiane e shoqëron këtë foto me diçiturën: “La nonna degli altri è differente…” – “Gjyshja e të tjerëve është ndryshe…”
Ky përshkrim bart më shumë sesa një batutë apo një krahasim me gjyshet që jemi mësuar të imagjinojmë.
Është një deklaratë që sfidon arketipin, gjyshja që s’ka më nevojë të fshihet pas shallit të leshtë, përparëses me lule, ose një jete që identifikohet vetëm me kujdesin për nipërit dhe mbesat.
Kjo është një grua e cila, pavarësisht se si e thërrasin, gjyshe, nënë, zonjë, mbetet vetja. Ajo guxon të jetë një grua seksi, një manifestim i gjallë i feminilitetit, jo si provokim, por si afirmim i së drejtës për të jetuar, për të dëshiruar, për të pëlqyer veten.
Është një sfidë ndaj normës, ndaj paragjykimeve, ndaj një bote që, shpesh, kërkon të fshehë bukurinë e pjekurisë pas perdeve të turpit të trashëguar.
Ajo nuk kërkon të jetë si më parë, por si është, një grua që e ka kaluar jetën përmes përvojave, sakrificave, ndjenjave të thella, por që nuk pranon të zhbëhet për t’i bërë qejfin shoqërisë.
Sepse shoqëria, sidomos kjo e jona, shpesh fshihet pas një moraliteti hipokrit, të përvetësuar nga e shkuara dhe të ricikluar në të tashmen si dogmë.
I njëjti moral që e adhuron trupin e bukur të një gruaje në moshë, por e përçmon sapo merr vesh se ajo është “gjyshe”.
Një grua e lirë është një grua e bukur. Jo vetëm nga pamja, por nga guximi për të mos u fshehur. Ajo që e jeton veten deri në fund, me gjithë hijet dhe dritat, me gjithë dëshirat dhe pendesat.
E tillë është kjo “gjyshe ndryshe”, e cila nuk kërkon të thyejë rregullat, por t’i riemërtojë ato.
Sepse koha nuk ia zhbën asaj të drejtën për të qenë grua, ajo vetëm ia shton vlerën, kuptimin, dinjitetin dhe shkëlqimin.