Sot u mbajt seanca fillestare për vrasjen e Liridona Ademajt, 30-vjeçare, e cila u privua nga jeta mbrëmjen e 29 nëntorit 2023, në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës. I akuzuar për rastin është bashkëshorti i saj Naim Murseli dhe Granit Plava, Kushtrim Kokalla e Tomë Dodaj.
Para Gjykatës Themelore në Prishtinë, Naim Museli është deklaruar “plotësisht i pafajshëm” për vrasje të rëndë, pasi i njëjti akuzohet se kishte planifikuar vrasjen e gruas së tij.
I akuzuari tjetër Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me avokatin, ndërsa Granit Plava deklaroi se zgjedh të mbrohet në heshtje.
Kurse Tomë Dodaj, i cili e pranoi fajësinë për shitjen e armës me të cilën u vra Liridona Ademaj, u dënua me pesë vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Avokati i familjes së të ndjerës Liridona Ademaj u shpreh i lumtur që shqyrtimi fillestar shkoi konform ligjit.
Kur u pyet për deklarimin e Murselit, ai tha se provat “janë aq të qarta sa që edhe sikur të pranonte, nuk do të ishte diçka e re. Edhe mospranimi i fajësisë është diçka e pritshme, por edhe sikur ta pranonte nuk do të ishte çudi”.
Gjyqtarja e rastit tha se nëse gjenden fajtorë Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, mund të dënohen nga 10 vjet e deri me burgim të përjetshëm.
Naim Murseli akuzohet se kishte premtuar 30 mijë euro për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridonës, dhe madje e kishte mbajtur me njërën dorë natën kritike, që ajo të mos shmangte plumbin.
Ndërsa Granit Plava akuzohet se ishte dorasi që vrau Liridonën, duke e qëlluar me një plumb.
Sipas Prokurorisë, në Bërnicë, në vendin ku paraprakisht ishin marrë vesh me Murselin për të kryer vrasjen, ky i fundit, teksa po udhëtonte me veturën ku gjendej viktima dhe dy fëmijët e çiftit i ka bërë shenjë me dritat e veturës Plavës.
“Ai më pas ka dalë para veturës me maskë në kokë dhe pistoletë në duar. Ndërkaq, Naim Murseli ka ndaluar dhe ka fikur motorin dhe e ka mbajtur me dorë Liridonën. Granit Plava, për kompensim në shumë prej 30.000 eurosh, nga afërsia e drejtpërdrejtë, përmes dritares gjysmë të hapur nga ana e pasagjerit, ka shtënë dhe e ka qëlluar në kokë Liridonën, në pjesën prapa veshit të majtë, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse dhe për pasojë ka vdekur në vendin e ngjarjes”.
Ndërkaq, Kushtrim Kokallës, sipas autoriteteve, i ishte kërkuar nga Murseli që të gjejë “mundësi” për vrasjen e Liridonës dhe ai e kishte njoftuar atë me Plavën. Autoritetet e akuzojnë se ishte në dijeni për vrasjen e Liridonës dhe nuk kishte lajmëruar autoritetet për këtë vepër penale.