Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhër që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të paraqitet në Prokurorinë Speciale më datë 4 mars në ora 10:00 për të dhënë dëshminë e tij rreth skandalit me rezervat shtetërore.
Kjo është konfirmuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me Urdhër të gjykatës të datës 21.02.2025 ka obliguar dëshmitarin A.K., që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 28.02.2025, përmes emalit ka pranuar përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit, lidhur me Urdhrin e lartë – theksuar të gjykatës” – ka thënë ajo.
Çka nëse refuzon?
Kodi i Procedurës Penale, në nenin 132 të tij flet për Mosparaqitjen e Dëshmitarit. Sipas këtij neni, respektivisht pika 1. “Kur dëshmitari i cili është thirrur me rregull nuk paraqitet, e mosparaqitjen nuk e arsyeton, ose pa leje dhe shkak të arsyeshëm largohet nga vendi ku duhet të pyetet, gjyqtari i procedurës paraprake sipas detyrës zyrtare apo kërkesës së prokurorit të shtetit mund ta detyrojë dëshmitarin që të paraqitet.”.
Çka nëse refuzon? “Nëse dëshmitari nuk paraqitet, gjyqtari i procedurës paraprake e dënon atë me gjobë deri dyqindepesëdhjetë (250) Euro për çdo herë që nuk paraqitet”- thuhet aty.
Çka nëse vazhdon refuzimi? “Nëse dëshmitari vazhdon të refuzojë të dëshmojë pasi që është dënuar me gjobë, ai mund të burgoset siç parashihet në paragrafin 2 të këtij neni.”
Burgu?
Po. Kodi i Procedurës Penale ka paraparë edhe burgosjen e dëshmitarit që “guxon” ta sfidoj ligjin.
“Kur dëshmitari refuzon të dëshmojë, atëherë mund të burgoset. Burgimi zgjat derisa dëshmitari nuk pranon të dëshmojë apo derisa dëshmimi i tij bëhet i panevojshëm, ose derisa procedura të përfundojë, por jo më shumë se një (1) muaj.” – thuhet në kod.