Mbyllja e institucionet paralele që ofrojnë shërbime bazike për qytetarët në veri, nuk duhet të bëhet në mënyrën siç bënë autoritetet e Kosovës me zyrat për shërbime sociale, kanë thënë në ambasadën e Gjermanisë në Kosovës.
Zëdhënësi Christian Böttcher tha se, qëndrojnë në një linjë me BE-në sa i përket trajtimit që duhet të kenë këto institucione.
“Ambasada gjermane mbështet plotësisht atë që zëdhënësi i BE-së i është përgjigjur më herët pyetjeve të mediave. Siç u tha më parë, Ambasada Gjermane është dakord që strukturat paralele duhet të ndërpriten, por institucionet në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe ato që ofrojnë shërbime sociale bazë nuk duhet të mbyllen në këtë mënyrë”, ka thënë ai.
Böttcher shton se Kosova duhet të gjejë alternativa për këto shërbime, tek përmendi ndikimin që ka në jetën e përditshme mbyllja e zyrave ilegale.
“Mbyllja e strukturave të tilla ekzistuese pa marrëveshje paraprake për alternativat mund të ndikojë negativisht në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera”, ka potencuar ai.
Mbylljen e Qendrave për Punë Sociale të drejtuara nga Serbia në komunat veriore të Kosovës e ka kritikuar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara.
Në një reagim në rrjetin social “X”, Ambasada e SHBA-së është shprehur e shqetësuar, për siç kanë thënë, mbylljen e papritur edhe të pakoordinuar të qendrave të mirëqenies.
“Këto dhe veprime të ngjashme ndikojnë negativisht te mijëra qytetarë të Kosovës dhe rrezikojnë krijimin e pasojave të dëmshme për të ardhmen e Kosovës në Evropë dhe marrëdhëniet tona dypalëshe”, thuhet nga SHBA-ja.
Reagim ka pasur edhe nga Bashkimi Evropian. Zyrtarë e BE-së kanë thënë se statusi i objekteve të Serbisë në veri të Kosovës, që ofrojnë shërbime sociale, duhet të zgjidhet në dialogun që e lehtëson blloku, duke i bërë thirrje Prishtinës që të mos i mbyllë këto struktura.
Më 8 shkurt, policia arrestoi katër zyrtarë të Qendrës për Punë Sociale në Zubin-Potok nën dyshimin për veprën penale: “cenim i përcaktuesve të votuesve”. Por të hënën në Gjykatën Themelore të Mitrovicës thanë se tani të pandehurit dyshohen për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i Dokumenteve”.
Të premten e javës së kaluar, me urdhër të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, policia ka bastisur dhe mbyllur zyrat e tri qendrave për punë sociale, të cilat operonin ilegalisht në veri.
Sipas policisë, zyrtarë të këtyre qendrave dyshohet se kanë telefonuar qytetarë dhe nën formën e kërcënimit, i kanë detyruar apo udhëzuar se si të votojnë duke i kushtëzuar ndihmat sociale me votën e tyre në favor të një partie politike e cila ishte në garë për zgjedhjet parlamentare në Kosovë.
Lidhur me aksionin policor të 21 shkurtit ka reaguar Lista Serbe dhe zyrtarët tjerë në Beograd. Sipas këtij subjekti, kryeministri Kurti “po i shfrytëzon ditët e fundit për të sulmuar edhe një herë gjithçka serbe”.
Ndërkaq, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, e cilësoi aksionin si “veprim përshkallëzues, me të cilin, Kurti ka goditur drejtpërdrejt kategoritë më të ndjeshme dhe më të rrezikuara të serbëve në Kosovë”.
Petkoviq pretendoi se janë 9 mijë përfitues të ndihmës sociale, shtesave për fëmijë dhe ndihmë tjetër që kanë marrë shërbime në këto objekte.
Edhe në të kaluarën, autoritetet e Kosovës kanë mbyllur institucione të ndryshme që funksionojnë në kuadër të sistemit të Serbisë, me arsyen se funksionimi i tyre në Kosovë është i paligjshëm.