Shkruar nga Afrim Imaj
Gjenerali që ka drejtuar aviacionin luftarak në pranverën e mbrapshtë ’97 nuk ka folur kurrë për ato që ka përjetuar gjatë atyre ditëve dramatike. Ka dëgjuar në vetmi dëshmitë e të tjerëve dhe, pavarësisht kundërshtive për to, s’ka preferuar të ndërhyjë për të qartësuar sadopak të vërtetën. Nuk ka ndodhur kjo as kur kanë trilluar për ngjarje që janë prodhuar në zyrën e tij. I bindur se distanca kohore me ngjarjet e bujshme do të fashitë sadopak revanshe të tilla, ka heshtur duke pritur një moment të volitshëm për të dëshmuar. Ylli Dimraj, gjenerali 75- vjeçar, më në fund ka vendosur të flasë, madje pa drojë e komplekse. Ish ushtaraku që në trazirat e ’97-s ka kryer detyrën e kreut të Mbojtjes Kundërajrore pranon të tregojë të pathënat e ngjarjeve tronditëse nga pozitat e protagonistit, që është ndodhur në qendër . Në kundërshtim me stigmatizimin e ish-eprorit, “arratiskthyerit pa lavdi nga ekzili” (kështu e stigmatizon ai ish-ministrin e Mbrojtjes), i cili i vlerëson trazirat e ’97- s “Dosje e zezë që s’do të hapet kurrë”, gjenerali në rezervë nuk nguron të ndriçojë misteret e momenteve kyç të atyre pështjellimeve, duke u ndalur me hollësi në historinë e urdhrave luftarak për të shtypur me forcën e armëve protestat antiqeveritare. Në rrëfimin e Dimrajt zbulohet enigma e thirrjes së aviacionit luftarak në teatrin e operacioneve “kundër bandave në Jug të vendit”, si shpresa e vetme për të kapërcyer situatën dhe dinamika kaotike e veprimeve në ajër. Gjenerali në lirim zbardh të dhëna të panjohura për çështje e ndodhi që janë debatuar e përfolur gjatë prej vitesh, duke u dhënë përgjigje dilemave të shumta, kryesisht atyre për mënyrën e reagimit luftarak ndaj situatës së pazakontë në atë pranverë të trazuar. Kush urdhëroi për të bombarduar nga ajri Urën e Mifolit dhe si u shmang katastrofa fatale? Arsyet e dezertimit të dy pilotëve të Rinasit që u arratisën me avionin MIG-15 në Itali dhe pse akti i tyre u vlerësua heroizëm i pashoq. E vërteta për bombardimin e qytetit të Tiranës me aviacion e raketa në mesin e marsit ‘97 dhe kaosi çoroditës në lidershipin politik të ushtrisë. A ishte pjesë e operacioneve kundër revoltave antiqeveritare fluksi i fluturimeve me avion që asokohe motivohej i destinueshëm për kontrollin dhe vrojtimin e vijës së kufirit shtetëror me fqinjin jugor? Në çfarë rrethanash u urdhërua regjimenti i aviacionit të Kuçovës për të goditur nga ajri burgun e Bënçës, ku ishte Fatos Nano, ish-shefi i opozitës i dënuar për korrupsion dhe si dështoi përpjekja ogurzezë që do të sillte pështjellime të jashtëzakonshme? Çfarë ndodhi me pilotin e Gjadrit që sulmoi nga ajri mbi Bënçë dhe si përfundoi ai matanë Atlantikut pas kryerjes së fluturimit misterioz…
Zoti Ylli, ju ishit komandant i Forcave Ajrore në periudhën e ngjarjeve tragjike të vitit 1997, kur aviacioni luftarak u bë pjesë e operacioneve kundër revoltave antiqeveritare. Si e kujtoni rrjedhën e atyre ngjarjeve pas kaq vitesh?
Së pari, më lejo të saktësoj se nuk kam qenë komandant i Forcave Ajrore, por komandant i Mbrojtjes Kundërajrore. Në vitin 1997 kam kryer detyrën e Zëvendës komandantit të Mbrojtjes Ajrore. Sidoqoftë, me ngjarjet tragjike të vitit 1997 jam përballur drejtpërdrejt, duke marrë e zbatuar vendime e urdhra jo të lehta për një ushtarak. Në ato pështjellime të tmerrshme, papërgjegjshmëria, miopia dhe paaftësia e disa pushtetarëve diktues e vendimmarrës, më vunë në qendër të zhvillimeve, madje në rolin e padëshirueshëm të protagonistit të tyre. Si mua, edhe mjaft kolegë të tjerë na është dashur të përballojmë sulme nga më agresivet për të bërë detyrën konform ligjit dhe betimit ushtarak. Na është dashur të kundërshtojmë me guxim urdhra flagrantë antiligjor, të komunikuar nga shtetarë të sëmurë e karrieristë, që jetën e tyre nuk mund ta shikonin jashtë karriges së pushtetit.
Të çfarë natyre kanë qenë urdhrat kriminalë që u janë komunikuar dhe a keni pasur asoja që i keni kundërshtuar?
Kur them urdhra kriminalë, nuk kam parasysh vetëm fluksin e atyre jashtë misionit dhe detyrës luftarake, por edhe të tjerë që rrezikonin drejtpërdrejt jetën e komunitetit. Të tillë ka pasur jo pak. Së paku mua më janë komunikuar katër urdhra mirëfilli antiligjor. Çuditërisht, të katërt jo me shkrim por me telefon. I pari ka qenë urdhri për bombardimin e Urës së Mifolit. Pastaj ai për të goditur nga ajri bazën ajrore të Kuçovës, me pretendimin se rebelët kishin marrë peng pilotët e regjimentit dhe u bënin presion për të sulmuar Presidencën në Tiranë. Marrëzia arriti deri aty sa na dhanë urdhër për të bombarduar nga ajri Burgun e Bënçës, për të shmangur turmat e njerëzve, siç thuhej, që po sulmonin atë.
Pse ka pasur një urdhër për të bombarduar Burgun e Bënçës?
Patjetër që ka pasur. Madje, urdhërdhënësi ka bërë presion të jashtëzakonshëm për ta realizuar sa më shpejt.
E keni marrë ju një urdhër të tillë?
Mua personalisht, si një nga drejtuesit kryesorë të Forcave të Mbrojtjes Kundërajrore, nuk ma ka komunikuar njeri drejtpërdrejt. Historia e tij është disi misterioze.
Atëherë, kush e mori urdhrin për të bombarduar me aviacion qelinë e Fatos Nanos?
Urdhri ka shkuar drejtpërdrejt në komandën e regjimentit të Kuçovës. Data nuk më kujtohet me saktësi, por ka qënë fundi i muajit shkurt a fillimi i marsit.
Në çfarë rrethanash është komanduar regjimenti i Kuçovës për të bombarduar Burgun e Bënçës?
Ka qenë pasdite kur më ka telefonuar komandanti i regjimentit, Agim Matraku dhe më njoftoi se kishte marrë urdhër për të goditur nga ajri turmat e njerëzve që sulmojnë Burgun e Bënçës. Si ka mundësi, e pyeta i befasuar, duke i kërkuar detaje për detyrën e marrë rishtas. Aty për aty kolonel Matraku, që me vështirësi shqiptonte fjalët, përsëriti në ligjëratë të drejtë urdhrin e marrë: “Ngjitu me avion në ajër dhe godit me zjarr turmat e njerëzve që po sulmojnë Burgun e sigurisë së lartë në Bënçë të Tepelenës! Nga zëri dukej qartë që ishte i terrorizuar, natyrisht ishte një situatë tepër e rrezikshme…
Si reaguat pas telefonatës me kolonel Matrakun?
Ajo që më komunikoi kolonel Matraku ishte diçka krejt e papritur. Ato ditë ishim ndeshur edhe herë të tjera me urdhra e detyra konfuze, por në asnjë rrethanë si kjo. Ishte një situatë tejet kritike që nuk të linte kohë të mendoheshe gjatë. Aty për aty mblodha veten dhe bëra një vlerësim të shpejtë mbi atë që po dëgjoja. E para gjë që më bëri përshtypje ishte fakti që urdhri i ishte dhënë me gojë dhe jo me shkrim komandës së regjimentit, duke anashkaluar qëllimisht komandën e aviacionit. Së dyti, kishim të bënim me një urdhër djallëzor, pasi të godisje me zjarr nga avioni turmat e njerëzve pranë Burgut të Bënçës, ishte e pamundur të mos përfshihej nga ky zjarr grupi i të dënuarve që ishte aty, aq më tepër në kushtet e errësirës dhe shpejtësisë së madhe të avionit. Së treti, në burgun e sigurisë së lartë vuanin dënimin shumë persona që ishin dënuar për krime të ndryshme, atëherë pse duhej goditur? Së katërti, Burgu i Bënçës nuk bënte pjesë ne inventarin e ushtrisë, për të cilin detyroheshim t’i mbronim, qoftë edhe me zjarr nga ajri, por varej nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe për rrjedhojë sigurohej nga strukturat e këtij institucioni. Mbi bazën e këtij vlerësimi, kolonel Matrakut i thashë të mos kryente asnjë veprim. Madje, për të qenë sa më i qartë, e urdhërova të merrte ditarin e veprimeve luftarake dhe aty të dokumentonte detyrën për të ndaluar në mënyrë kategorike çdo fluturim që ka për objekt sulmin mbi Burgun e Bënçës. “Të ndaloj rreptësishtë të zbatosh çdo urdhër tjetër!”, i thashë me ton të lartë, duke mbyllur telefonin.
Ndërkaq, komandanti i Kuçovës mbeti mes dy zjarreve…
Kolonel Matraku, si komandant trim e i mençur, u tregua dinjitoz dhe nuk u çua atë natë me avion për të goditur mbi Bënçë. Një profesionist si ai, nuk mund të bënte ndryshe. Madje, për urdhrin për të goditur mbi Burgun e Bënçës, mbajti qëndrim dhe e denoncoi me forcë.
Megjithatë, ato ditë qarkullonin zëra se mbi Bënçë është kryer një sulm nga ajri…
Kjo është një tjetër ngjarje, po aq misterioze sa edhe urdhri monstruoz për të sulmuar Burgun e Bënçës me aviacionin e Kuçovës.
Pra, pavarësisht kundërshtimit tuaj, avionët e Kuçovës goditën mbi Bënçë?
Asnjë avion i Kuçovës nuk ka sulmuar Burgun e Bënçës atë ditë. Madje as më vonë nuk ka ndodhur që pilotët e këtij regjimenti të sulmojnë mbi këtë territor. Zërat e dëgjuar ato ditë, por edhe më vonë, i referohen një fluturimi tjetër të kryer atë natë jo nga pilotët e Kuçovës…
Me një fjalë është sulmuar burgu ku qëndronte Nano?
Me këtë ngjarje jam njohur dy ditë më vonë nga raporti i kolonel Enver Tahos, një nga specialistët e degës operative të Komandës, i cili më habiti dhe shokoi me atë që më tregoi. “Atë natë që kolonel Matraku nuk u ngrit në ajër për të goditur mbi Bënçë, më tha ai, piloti Lulash Marku është ngritur në ajër nga Rinasi me avion luftarak pa dijeninë e komandës eprore. Është drejtuar për në Tepelenë dhe ka lëshuar disa raketa ajër-tokë në malin mbi Bënçë. Në kthim nuk është ulur më në Rinës, por në aeroportin e Gjadrit”. Nga ato që verifikova rezultoi se kolonel Marku, efektiv i bazës së Gjadrit, pa dijeninë e komandës së aviacionit, por me urdhër nga ministria, atë natë ishte ribazuar me avionin nga Gjadri në regjimentin e Rinasit. Që aty kishte marrë urdhër të fluturonte drejt Tepelenës dhe ai, për të qenë “brenda detyrës” për goditje, kishte lëshuar raketat jo në godinën e burgut, por në shpatet e malit mbi Bënçë. Raketat ajër-tokë, gjatë lëshimit bëjnë shumë zhurmë e flakë, çfarë kishte krijuar panik në zonën përreth. Me sa dukej, urdhërdhënësi djallëzor, kur pa se baza e Kuçovës kundërshtoi fluturimin mbi Bënçë, kishte gjetur një zgjidhje tjetër, gjithnjë duke anashkaluar komandën tonë. Enigmatik mbetej fakti si kjo detyrë misterioze i ishte besuar kolonel Markut. Me sa jam në dijeni, ky pilot qysh kohë më pas është larguar dhe jeton matanë Atlantikut.
Ngjarja që tregoni është një vepër kriminale antikushtetuese. E keni denoncuar si të tillë, apo jeni mjaftuar me shpërfilljen e urdhërdhënësit?
Në të gjitha rastet, për ushtarakun urdhri i eprorit është ligj për vartësin. Përjashtohen ata urdhra që bien ndesh me Kushtetutën. Urdhri për të bombarduar Burgun e Bënçës ishte një i tillë. Pikërisht për këtë arsye e kundërshtova prerë…
Megjithatë, pas kaq vitesh është e vështirë të besohet vërtetësia e kësaj historie, ca më tepër kur ajo nuk ka lënë gjurmë në dokumentet e kohës…
Nuk bëhet fjalë për gojëdhëna urbane dhe histori të trilluara për të bërë zhurmë. Së paku për mua është ngjarja më tronditëse e asaj periudhe dramatike, por edhe e tërë karrierës ushtarake. Kush është i interesuar për më tepër, mund ta gjejë me imtësi në dokumentet zyrtare. Si protagonist dhe dëshmitar i ngjarjes, do t’u rekomandoja Ditarin e Veprimeve Luftarake të Komandës së Forcave Ajrore të Republikës së Shqipërisë, ku ajo është dokumentuar me vërtetësi. Ditari për të cilin bëhet fjalë ka numrin e protokollit Nr-21, datë 21.01.1997. Ai është protokolluar dhe arkivuar sipas rregullores përkatëse në sekretarinë tepër-sekrete të kësaj komande. Po kështu ngjarja është e regjistruar edhe në ditarin e veprimeve luftarake të regjimentit të Kuçovës…