Gjenerali Ramadan Qehaja, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka reaguar lidhur me marrëveshjen ushtarake tri-palëshe të nënshkruar kohët e fundit mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës.
Qehaja ka theksuar rëndësinë e këtij veprimi, duke theksuar se është një reagim konkret ndaj kërcënimeve destabilizuese të Serbisë në rajon, veçanërisht ndaj Kosovës.
“Me shkas
Duke e ditur qëndrimin destabilizues të Serbisë në Ballkan e në veçanti ndaj Kosovës, gjë që është dëshmuar në disa raste me veprime konkrete ushtarake dhe terroriste ndaj Republikës sonë, nënshkrimi i marrëveshjes ushtarake tre palëshe – Kroaci, Shqipëri dhe Kosovë- para ca ditësh në Tiranë, është një veprim konkret mbrojtës ndaj këtyre pretendimeve territoriale destabilizuese”, ka shkruar Qehaja.
Në deklaratën e tij, Gjenerali Qehaja ka shprehur shqetësimin për qëndrimin destabilizues të Serbisë, e cila, sipas tij, ka dëshmuar në shumë raste përmes veprimeve ushtarake dhe terroriste kundër Kosovës.
“Gjendja destabilizuese në Bosnje e Hercegovinë si rezultat i destruktivitetit të Republikës Srpska atje,nën përkrahjen e vazhdueshme të Serbisë, tregon brishtësinë tejet të theksuar të situatës së sigurisë në Ballkan. Kujtoj se intenca e NATO-s për më shumë investim në ngritjen e gatishmërisë ushtarake të forcave të armatosura të saj e në veçanti të Shqipërisë, si anëtare të kësaj aleance dhe tentimit për ngritjen e gatishmërisë ushtarake përkatësisht të mbrojtjes edhe të Kosovës, janë sinjale që tregojnë vendosmërinë e këtyre tri shteteve për t’ju kundërvënë veprimeve destabilizuese serbe”, ka potencuar Qehaja.
Ai ka vlerësuar marrëveshjen si një hap të nevojshëm dhe të drejtë për të siguruar stabilitetin dhe sigurinë e rajonit.
“Prandaj, unë mendoj se nënshkrimi i kësaj marrëveshje ushtarake të këtyre tri shteteve, nuk është kurrfarë provokimi, siç thonë nga Beogradi zyrtar, por veprim konkret për stabilitet në Ballkan.
S’do mend se përkundër ekzistimit të një pjese të NATO-s në Kosovë – te quajtur KFOR – blerja e armatimit dhe ngritja e gatishmërisë ushtarake të FSK-së ,përkatësisht mbështetja në forcat tona vetanake, mbetet një ndër prioritetet më të rëndësishme në momentin aktual”, ka përfunduar Qehaja.