Lahi Brahimaj, kandidat i koalicionit të AAK-së me partnerët për deputetë ka folur pas takimit elektoral me qytetarë në Bashkësinë Lokale të Gërgocit të Gjakovës.
Brahimaj tha se Gërgoci foli qartë “me bojkotimin e plotë të mashtruesit dhe me përkrahjen masive për Kosovën Fituese”.
“Bashkë me kryetarin e Gjakovës Ardian Gjini, mes miqve, veprimtarëve e bashkëluftëtarëve, përjetuam energjinë e jashtëzakonshme të qytetarëve që duan largimin e qeverisë që i mashtroi e i la në baltë”, shkroi ai.
Përveç Gërgocit, Brahimaj mori mbështetje të plotë edhe në Dushkajë të Gjakovës.
“Dushkaja, si bastion i pathyeshëm i AAK-së, edhe njëherë dëshmoi se e do zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, vendet e reja të punës dhe perspektivën e qartë euroatlantike. Plani ynë për anëtarësim direkt në NATO dhe vizioni për Kosovën Fituese është rruga e vetme drejt së ardhmes që meritojmë”, shkroi Brahimaj në Facebook.