Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka dorëzuar mandatin e deputetit.
Këtë e ka konfirmuar vetë Muhaxheri.
“Sapo e dorëzova dorëheqjen sepse do të mbes në komunë”, tha shkurt Muhaxheri.
Kryetari i Pejës në zgjedhjet e 9 shkurtit fitoi mandatin e deputetit duke marrë plot 25 mijë e 942 vota.
Përveç Muhaxherit, edhe Imri Ahmeti që udhëheq me Lipjanin ka fituar mandatin e deputetit.
Media ka kontaktuar edhe Ahmetin për të marrë një qëndrim por i njëjti nuk është përgjigjur.
KQZ ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve pas më shumë se një muaj nga mbajtja e tyre.
Sipas këtyre rezultateve, në zgjedhjet e 09.02.2025 kanë marrë pjesë 966,283 votues apo 46.54 %.Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 396,787 vota apo 42.30%, PDK është renditur e dyta me 196,474 apo 20.95%, LDK e treta me 171,357 apo 18.27%, AAK-Nisma me 66,256 vota apo 7.06%.
Sipas numrit të ulëseve që kanë siguruar në Kuvendin e Kosovës, partitë janë renditur kështu: LVV me 48 deputetë, PDK me 24 deputetë, LDK me 20 deputetë, Lista Serbe me 9 deputetë, AAK-Nisma me 8 deputetë, etj.