Tërheqja e avokatit Ben Emmerson nga ekipi mbrojtës i ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, i cili është duke u gjykuar nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ka nxitur reagime të shumta në opinion.
Në PDK e fajësuan Ministrinë e Drejtësisë lidhur me pagesat e avokatëve. Përfaqësues të kësaj partie e ish eksponentë të luftës, e cilësuan si “goditje e rëndë” për UÇK-në tërheqjen e avokatit Emmerson.
Mirëpo, ndërkohë u publikua edhe një video, ku Kadari Veseli shprehte njëlloj pakënaqësie me avokatin Emmerson.
Në lidhje me këtë, për gazetën ka folur avoakati Gamzend Halilaj. Halilaj ka theksuar se largimi i Emmerson-it nuk ka të bëjë me financat, por me moskoordinimin e tij me z. Veseli.
“Asgjë nuk ka të bëjë me financat. Kjo është vërejtur edhe gjatë gjykimeve. Është gjithashtu praktikë kur humbet koordinimi mes avokatit dhe klientit. Avokati ndjek strategjinë e mbrojtjes në mënyrë profesionale, ndërsa klienti orientohet në çështje të tjera jo relevante ose dytësore, ose mund të largohet nga çështja që është objekti i akuzës”, ka thënë Halilaj.
Megjithatë, Halilaj e konsideron si normale një kufizim eventual të pagesave nga ana e Qeverisë, për shkak të nevojave të qytetarëve të Kosovës.
“Në raste të tilla, forma më e mirë është tërheqja e avokatit, siç është rasti konkret. Çështja e kufizimit të pagesave nuk ka të bëjë me këtë. Edhe nëse qeveria ka kufizuar pagesat, kjo është krejt normale, pasi qeveria duhet të marrë parasysh edhe pensionistët, mjekët, policët, ushtrinë, etj. Është normale që çdo lloj pagese të ketë kufij të caktuar”, ka theksuar ai.
Ndryshe, Ministria e Drejtësisë e Kosovës lëshoi një reagim në lidhje me largimin e Emmersonit, duke thënë se i demanton “lajmet e pabaza dhe tendencioze që po përhapen rreth pagesave për avokatët” e angazhuar në mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.
Ajo tha se personat që tërhiqen nga detyra e tyre “mund të gjejnë justifikime të ndryshme, por paga e ulët nuk është një prej tyre”.