Kandidati i LDK-së për deputet, Arben Gashi, ka thënë se Marrëveshja e Ohrit dhe Plani i Sekuencimit, marrëveshje këto të nënshkruara nga kryeministri Albin Kurti, janë më të këqija sesa Marrëveshja e ish-kryeministrit Hashim Thaçit, e vitit 2013 dhe Marrëveshja e Parimeve për Hartimin e Statutit të Asociacionit, e ish-kryeministrit Isa Mustafa në vitin 2015.
Gashi tha se Marrëveshja e Ohrit dhe Plani i Sekuencimit paraqesin përkeqësim të situatës së Kosovës në aspektin juridik, pasi sipas tij, paraqesin më shumë obligime dhe krijojnë status juridik më të avancuar për komunat me shumicë serbe.
“Me ardhjen e Kurtit i kemi tri marrëveshje, e kemi marrëveshjen e Thaçit të vitit 2013, e kemi Marrëveshjen e Parimeve për Hartimin e Statutit të Asociacionit të Mustafës të vitit 2015 dhe e kemi marrëveshjen e Kurtit që quhet Marrëveshja e Ohrit dhe Plani i Sekuencimit”.
“Të tria në aspektin legal, e kemi një përkeqësim të situatës në aspektin juridik sepse Kosova ka marrë obligime. Marrëveshja e Kurtit është më e keqe se marrëveshja e Thaçit dhe Mustafës në aspektin juridik dhe jep obligime shumë më shumë për Kosovën dhe krijon status juridik më të avancuar për komunat me shumicë serbe”, tha Gashi.
Ai foli edhe për çështjen e veriut ku tha se në atë pjesë të vendit, gjendja e krijuar pas vitit 2013 me marrëveshjet që janë bërë, kanë arritur që t’i minimizojnë apo t’i largojnë në tërësi strukturat kriminale atje.
“Çështja e veriut, i ka tri elemente. E para, gjendja e krijuar pas vitit 2013 me marrëveshjet që janë bërë kanë arritur që t’i minimizojnë apo t’i largojnë në tërësi strukturat kriminale serbe, policia, ushtria, administrata shtetërore, krejt kanë qenë atje”.
“Më 2013 krejt janë tërhequr, me marrëveshjet që janë bërë. Pra, është krijuar një fazë paraprake e avancimit, janë bërë policët e Kosovës, prokurorët e Kosovës e kryetarët e komunave të Kosovës”, tha ai.