Analisti Sadri Ramabaja ka një parashikim të zymtë për botën pas fitores së republikanit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në ShBA. Sipas tij, ky zhvillim e shënon “fundin e demokracisë liberale”.
Sipas Ramabajës, në Evropë do të pasojë rigrupimi i aleancave të reja dhe forcimi i rolit të shtetit-komb. “Beteja për mbijetesë do të jetë shenjuesi i viteve pasuese” – paralajmëroi analisti që njihet për qëndrimet pro pushtetit.
Ai madje bëri thirrje që Kosova ta rizgjedhë Albin Kurtin kryeministër, sepse, sipas tij, “Kosova ka nevojë për një lider të fortë”.
Postimi:
Fundi i demokracisë liberale.
E bashkë me këtë fund të palavdishëm, fillon epoka e fashizmit modern tok me rendin e ri botëror.
Instalimi i fashizmit gjerman përmes zgjedhjeve kishte fituar në vitin 1933, por ai do të bëhej shkas për fillimin e Luftës së Dytë Botërore.
Bota që sot futet në autostradën e pasigurisë totale.
Në Europë pason rigrupimi i aleancave të reja dhe forcimi i rolit të shtetit-komb.
Në këtë hulli hyjmë edhe ne.
Beteja për mbijetesë do të jetë shenjuesi i viteve pasuese.
Që të ruajmë integritetin territorial dhe të ardhmen si Komb, dy republikat tona duhet të marrin vendime urgjente që do të rezultonin me krijimin e Federatës Shqiptare.
Për këtë arsye zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 marrin karakter plebishitar. Kosova duhet ta konfirmojë maturimin e saj politik duke rizgjedhur Albin Kurtin në pozicionin e tij aktual dhe duke i dhënë fuqi edhe më stabile qeverisjes për mandatin e ri.
Republika ka nevojë për lider të fortë.