Ministria e Punëve të Jashtme të Francës përmes një reagimi kanë thënë se dënojnë ashpër shumëfishimin e veprimeve të njëanshme të institucioneve të Kosovës në Veri, veprime të cilat MPJ franceze thotë se ndikojnë në jetën e përditshme të komunitetit serb
Ky reagim ka ardhur pasi autoritetet e Kosovës, kanë ndërmarë disa veprime në veri të vendit.
Në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Francës, thuhet se e dënojnë fuqishëm rritjen e papritur të veprimeve të njëanshme.
“Franca e dënon fuqishëm rritjen e papritur të veprimeve të njëanshme të autoriteteve kosovare në veri të vendit, të cilat prekin jetën e përditshme të komunitetit serb”, thuhet në një njoftim Ministrisë së Jashtme të Francës.
“Franca u bën thirrje autoriteteve kosovare që të përmbahen nga çdo veprim i ri i njëanshëm, i cili do të kontribuonte më tej në përshkallëzimin e tensioneve. Franca inkurajon të dyja palët të kthehen në tryezën e bisedimeve, nën kujdesin e Bashkimit Evropian, në mënyrë që të përparojnë në zbatimin e marrëveshjes Bruksel-Ohër”, përfundon njoftimi.
Kurse të enjten, autoritetet kosovare kryen inspektime në urban mbi lumin Ibër në një fazë testimi para rihapjes së synuar të saj, ndërsa në fillim të javës ato i mbyllën nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri të Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka thënë se synon të rihapë për qarkullim të automjeteve urën mbi Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare, dhe atë të Veriut me shumicë serbe.
Vendet e QUINT-it – pjesë e së cilit është Franca bashkë me Shtetet e Bashkuara, Britanin e Madhe, Gjermaninë dhe Italinë – më 2 gusht kanë deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment.
E sipas Francës, veprimet e autoriteteve kosovare i rrezikojnë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, “që është parakusht për realizimin e perspektives evropiane për të dyja vendet”.
Ndërkohë, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, paralajmëroi përsëri se është i gatshëm t’i ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme” për t’i luftuar zhvillimet të cilat mund ta cenojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal, pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.
NDryshe, ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rënë dakord që të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve.