Fuqitë kryesore evropiane i kanë paraqitur Shteteve të Bashkuara qëndrimet e tyre të palëkundura mbi disa çështje kyçe në çdo marrëveshje të mundshme paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë. Deklarata u bë nga ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot, përpara një raundi të ri bisedimesh që pritet të mbahet të mërkurën në Londër.
Në Paris, javën e kaluar, Ukraina, ShBA, Franca, Britania dhe Gjermania u takuan për herë të parë që nga ardhja në pushtet e presidentit amerikan Donald Trump. Ata ndanë perspektivat e tyre për mënyrat e mundshme për t’i dhënë fund konfliktit që ka hyrë në vitin e katërt.
Zyrtarë të lartë, përfshirë sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, do të vazhdojnë diskutimet këtë javë në Londër, raportoi agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Objektivi i vetëm që na shqetëson ne është që t’i mbrojmë interesat franceze dhe sigurinë evropiane. Kjo është arsyeja që, përderisa ShBA-ja merr vendim që ta vendosë veten në një pozicion ndërmjetësues, ne i bëjmë ata që të dëgjojnë se cilat janë vijat tona të kuqe”, tha kryediplomati francez, pa dhënë më shumë detaje për çështjet specifike.
I pyetur për mundësinë që presidenti Trump të shpallë një marrëveshje paqeje këtë javë, Barrot theksoi se ky proces varet nga vullneti i Moskës: “Mendoj se armëpushimi (i Pashkëve) të cilin ai (Putini) e dekretoi disi në mënyrë të befasishme ishte një operacion marketingu, operacion joshjeje me qëllim që presidenti Trump të mos mbetet pa durim.”
Sipas tij, megjithëse armëpushimi u shoqërua me shkelje, është vërejtur një rënie e intensitetit të sulmeve me dronë dhe raketa, çka mund të krijojë një hapësirë për diskutime më të thella mbi një armëpushim të mundshëm.