(Urime fitorja e Kurtit – edhe për Bedri Hamzën, Lumir Abdixhikun, Ramush Haradinajn, Memli Krasniqin, të cilët u angazhuan për këtë fitore, ndonëse kundër tij!)
Shkruan Binak Maxharraj
Siç pritej, zgjedhjet e sotme parlamentare treguan se fituesi i padiskutueshëm është Albin Kurti. U dëshmua edhe një herë se ai mbetet lideri i pakontestueshëm në skenën politike të Kosovës.
E shanë, e denigruan dhe e sulmuan për katër vite me radhë, nga smira e përpjekja për ta ndalur. Pse? Sepse pastroi veriun nga bandat serbe, ua largoi disa politikanëve dhe grupeve të interesit bizneset me krimin e organizuar në atë zonë dhe pengoi ndarjen e Kosovës apo korrigjimin e kufijve – plane ku ishin përfshirë figura të njohura nga PDK dhe LDK.
Por populli, për meritat e tij, e konfirmoi sot edhe një herë si kryeministër për një tjetër mandat. Dhe siç tha ai vetë: pasi e çliruam veriun nga bandat serbe, tani është koha për të nisur konfiskimin e pasurisë së paligjshme të atyre që e zhvatën shtetin për vite të tëra.
Urime të gjithë atyre që e votuan Kurtin për një tjetër mandat! Urime edhe atyre që nuk e votuan, por që, me apo pa dashje, kontribuuan në fitoren e tij.
E mbi të gjitha, urime edhe liderëve të partive të tjera – si Lumir Abdixhiku, Bedri Hamza, Ramush Haradinaj dhe Memli Krasniqi – të cilët nuk lanë gur pa lëvizur që Kurti të mos fitonte. Por, pavarësisht gjithçkaje, ai sërish fitoi. Sepse populli nuk gjeti dikë më të mirë se Kurti për ta udhëhequr Kosovën!