spot_img
Sunday, November 24, 2024
spot_img

Faton Hajrizi, një antihero modern i Kosovës

Nëse asgjë tjetër, Faton Hajrizi ka arritur të shndërrohet në një antihero modern, jeta dhe vdekja e të cilit do të jenë subjekt i kontradiktave, këngëve e miteve, e që do ta mbajnë të gjallë atë edhe për shumë kohë si antiheroi më famëkeq i ditëve tona.

Nga: Arben Qirezi

Lartësimi i cubave nuk është fenomen i padëgjuar në pop dhe në folk kulturën e vendeve të ndryshme të botës. Se ky fenomen ekziston edhe në Kosovë, u pa me rastin e vrasjes së Faton Hajrizit, i cili pasi që iku nga burgu në Kosovë, në përpjekje për t’u arratisur nëpër Serbi, vrau një polic të Serbisë që po e legjitimonte e që mbase as që e kishte idenë se kë e kishte ndaluar, dhe në fund u vra nga policia e Serbisë pas rezistencës së armatosur. Ky glorifikim që i bëhet sot Faton Hajrizit e bën atë një antihero, të tipit të John Dillinger, një kriminel famëkeq amerikan, i cili në vitet e tridhjeta të shekullit të kaluar, siç e thotë edhe titulli i filmit, qe shpallur armiku publik numër një në Amerikë dhe, njëlloj sikurse Hajrizi, qe vrarë nga forcat FBI-së gjatë një kacafytjeje të armatosur pasi që kishte refuzuar të dorëzohej. 

Mbase në të ardhmen do të xhirohet ndonjë film edhe për Faton Hajrizin, sepse ai nuk ishte një kriminel i zakonshëm. Jeta e tij mori kthesë kur në moshën 15-vjeçare e vrau një ushtar rus pasi që ia rrëmbeu armën atij. Më pas ai iku edhe shtatë herë nga burgu, duke përfshirë edhe burgun e kampit “Bondsteel” dhe Dubravën, para se të ikte për herën e tetë, në këtë muaj, që ishte edhe hera e fundit që ai iku nga burgu para se të vritej. 

A ka ndonjë gjë heroike në vrasjen e një polici serb dhe në plagosjen e një polici tjetër si dhe në rezistencën e armatosur që i bëri policisë së Serbisë në Serbi? 

Asgjë heroike nuk kishte aty. Madje këto tregojnë se ai ishte në gjendje të bënte çmos për t’i ikur drejtësisë. Polici që e kishte ndaluar për ta legjitimuar gjatë arratisjes së tij nëpër territorin e Serbisë ishte në detyrë dhe ishte plotësisht i pafajshëm. Vendosmëria e Hajrizit për të mos u dorëzuar dhe për të bërë rezistencë deri në vdekje mund ta bëjë atë hero të nëntokës, përkatësisht një antihero, por kurrsesi një hero në plot kuptimin e fjalës. Kjo për arsye se ai as nuk kishte vrarë ndonjëherë në jetën e tij për atdhe e as që ishte vrarë për atdhe. Krimet që kishte kryer e edhe rezistenca e tij e fundit në Serbi ishin bërë për motive krejtësisht personale e që nuk kishin të bënin me ndonjë ideal. Madje edhe po të ishte i udhëhequr nga ndonjë motiv politik, vrasja e policit të Serbisë, Nikola Kërsmanoviq, do të ishte një akt terrorist, gjë që nuk ishte, sepse Faton Hajrizi ishte një njeri pa ideale. Policin Kërsmanoviq e vrau për të shpëtuar nga burgu nga i cili kishte ikur dhe ku kishte vendosur të mos kthehej më. I vetëdijshëm për peshën e krimit që e kishte bërë me vrasjen e një polici dhe plagosjen e një tjetri, ai bëri rezistencë të armatosur deri në vdekje ndaj forcave policore që e kishin rrethuar, sepse e dinte që pesha e dënimit për vrasjen gjakftohtë që kishte bërë do të ishte shumë e rëndë, edhe më e rëndë se që e kishte pasur në Kosovë.

Çka është heroi e çka është antiheroi? Në art, përgjithësisht në letërsi, teatër dhe sidomos në kinematografi, është një vijë e hollë që e dallon një hero nga një antihero. Antiheronjtë shpeshherë admirohen për shkak të dobësive që ata shprehin apo për shkak të karizmës që ata i bën të duken si heronj. Antiheronjve u mungon guximi. Në këtë aspekt, vrasja gjakftohtë apo rezistenca ndaj forcave të rendit shpeshherë mund të ngatërrohet me guxim. Por, vrasja gjakftohtë nuk është guxim. Ajo shpeshherë mund të kryhet edhe nga frika. Në këtë kontekst Faton Hajrizi vrau gjakftohtësisht një polic serb nga frika sepse ishte i arratisur nga burgu dhe po të kapej ai do të kthehej sërish në burg. Antiheronjve po ashtu u mungojnë fisnikëria dhe nderi. Atyre u mungon ndjenja e moralitetit-respektit për jetën dhe pronën e tjetrit; u mungon ndjenja e drejtësisë dhe respekti për ligjin si dhe mëshira. Të gjitha këto janë atribute të heronjve të cilat i mungojnë një antiheroi. Ajo që e bën një kriminel të shndërrohet në antihero është admirimi i masës apo i një numri të caktuar të njerëzve të cilët ndjejnë empati për të bëmat kriminale të antiheroit e të cilat e bëjnë atë të duket si një hero. Vrasja e ushtarit rus, vrasja dhe plagosja e policëve serbë dhe në fund vdekja nga plumbat e policisë së Serbisë gjatë kohës sa po bënte rezistencë e bëjnë atë të ndërlidhet gabimisht me rezistencën për liri. Por, plumbat që shkrepi Faton Hajrizi nuk kishin fare të bënin me idealin e lirisë. Motivet për të cilat ai i kishte shkrepur ata plumba ishin kryekëput kriminale. Shumë e thjeshtë, ai nuk donte të kapej dhe të kthehej në burg. 

Tiparet kryesore që e bëjnë Faton Hajrizin një antihero janë mungesa e mëshirës dhe e ndjenjës së moralit. Ai nuk kishte frikë të bënte diçka që është e pamëshirshme dhe jomorale. Në këtë aspekt, vrasja gjakftohtë është një kategori e amoralitetit. E dyta, motivet e tij ishin kryekëput vetjake dhe nuk kishin të bënin me të mirën e përgjithshme. Përkundër heronjve, Faton Hajrizi nuk kishte shkuar në Serbi për qëllime fisnike. Ai po arratisej nga burgu dhe arsyeja përse kishte shkuar në Serbi ishte sepse kishte menduar se do ta kishte më të lehtë të arratisej nëpër territorin e Serbisë, jo përse donte të takohej me forcat serbe dhe të kacafytej me ta se ishte patriot. 

Vrasja dhe rezistenca që i bëri ishin përpjekje për të shpëtuar nga ajo që ai e konsideronte të papranueshme: kthimin në burg. Dhe e treta, Faton Hajrizin e bën një antihero kompleksiteti dhe aventurizmi i karakterit të tij. Aftësia e tij për t’u arratisur nga burgjet tregojnë për karakterin e tij aventurier. Shumëkush mund të ndiejë empati për të, për shkak se kishte qenë fëmijë kur e kishte kryer krimin e parë dhe atë mund ta konsiderojnë si viktimë të sistemit të drejtësisë. Ai që nga fëmijëria kishte qenë në burg dhe jeta e tij në njëfarë mënyre mund të duket tragjike. Shumëkush mund të ndiejë dhembshuri për fatin e tij jetësor. Nëse asgjë tjetër, Faton Hajrizi ka arritur të shndërrohet në një antihero modern, jeta dhe vdekja e të cilit do të jenë subjekt i kontradiktave, këngëve e miteve, e që do ta mbajnë të gjallë atë edhe për shumë kohë si antiheroi më famëkeq i ditëve tona.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit