Eurodeputeti Lukas Mandl nga Austria sot bashkë me deputetët e LDK-së, Anton Quni e Besian Mustafa, ka vizituar xhamisë e fshatit Bubavec të Malishevës dhe kishën e Shën Abrahamit në Llapushnik të Drenasit.
Këtë e ka bërë të ditur deputeti Quni i cili ka publikuar disa fotografi nga këto vizita.
Postimi i tij:
Sot, së bashku me eurodeputetin Lukas Mandl nga Austria dhe deputetin e Parlamentit të Kosovës, Besian Mustafa, patëm nderin të takojmë besimtarë myslimanë dhe të krishterë në Xhaminë e Pajtimit në Bubavec dhe në Kishën e Shën Abrahamit në Llapushnik. Ishte një moment ku me krenari prezantuam dëshmi të gjallë të vlerës së jashtëzakonshme të diversitetit fetar, si një pasuri kombëtare.
Përpara mikut tim Lukasit, ndjeva një krenari të veçantë, duke theksuar një nga virtytet më të vlefshme të shqiptarëve: vlerën e bashkëjetesës së kultivuar ndër shekuj dhe harmoninë ndërfetare.
Besimtarët, të udhëhequr nga klerikët don Shan Zefi e don Franë Kola dhe mulla Xhevat Kryeziu, na dëshmuan edhe njëherë se kjo harmoni vazhdon të mbetet një realitet i përditshëm i cili fuqizon komunitetet tona.
Çdokush që abuzon me besimin e tjetrit, në të vërtetë nuk nderon as besimin e tij.
Kjo është arsyeja pse ne, si komb, mbajmë lart këtë trashëgimi të jashtëzakonshme të bashkëjetesës, si një fanar ndriques edhe për të gjithë botën.
Sot, ndërsa nderojmë të kaluarën tonë të lavdishme, kujtojmë detyrën tonë të përbashkët për të ruajtur dhe mbrojtur këtë trashëgimi të çmueshme shpirtërore, ndërtojmë një të ardhme ku forca jonë buron nga diversiteti ynë. Të bashkuar në shpirt dhe në identitet, vazhdojmë përpara, më të fuqishëm se kurrë, për të krijuar një shoqëri që frymëzon brezat e ardhshëm.