Të premten sigurimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit ka tentuar t’ia marrë telefonin personal, presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke bërë shkelje të praktikave ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike.
Analisti politik Sadri Ramabaja, ka reaguar ndaj këtij veprimi duke thënë se ky është provokim i radhës nga deluzionistët nacionalist maqedon të VMRO-së.
Sipas tij, provokimi është bërë nga ata që janë në shërbim të luftës hibride serbo- ruse.
“Sigurimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit [Maqedonia e Veriut] shkakton një shkelje flagrante diplomatike – sulmon Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, duke shpërfillur haptazi normat ndërkombëtare dhe duke shpërfaqur qartë ndikimin e thellë serbo-rus në Shkup.
Pas provokimit që segmente të shërbimeve serbo-ruse kishin bërë në Malin e Zi (përmes aprovimit të një rezolute në Parlamentin malazez për kampin në Jasenovac, që pasoi me shpalljen e tre liderve politik malazez si persona non gratahttps), vije ky provokim i radhës nga deluzionistët nacionalist maqedon të VMRO-së, edhe këta në shërbim të luftës hibride serbo-ruse”, ka shkruar Ramabaja.
Sipas tij, ky akt duhet cilësuar dhe është kurth për provokim të marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoninë Veriut dhe madje edhe mes Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Ai tutje, ka kërkuar maturi nga Kroacia.
“Ky akt duhet cilësuar i tillë si është – kurth i këtyre shërbimeve për provokim të marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoninë Veriut dhe madje edhe mes Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Kundërveprimi duhet të jetë edhe më i matur se ai i Kroacisë.
Maqedonia dhe e ardhmja e saj nuk rrezikohet në asnjë mënyrë nga shqiptarët. E ardhmja e saj është e ndërlidhur dhe ndërvarur pikërisht nga sjelljet dhe qëndrimi ndaj shqiptarëve autokton në Maqedoninë e Veriut dhe raporteve me dy republikat tona – Shqipërinë politike dhe Republikën e Kosovës”, ka përfunduar Ramabaja.