Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, shprehu mbështetjen e vendit të tij për procesin e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës, duke përfshirë mikrpitjen e negociatave midis dy vendeve.
“Duam që kjo luftë (Rusi-Ukrainë), që u ka kushtuar me jetë qindra mijëra njerëzve dhe ka bërë që të dy vendet të paguajnë çmim të rëndë, të përfundojë tani”, tha Erdoğan pas një takimi të kabinetit në Ankara.
“Qasja e përfundimit të luftës në tryezën e negociatave përputhet me politikën që Türkiye ka ndjekur gjatë katër viteve të fundit”, theksoi ai.
Erdoğan po ashtu deklaroi se “demokracia liberale, ideologjia më joshëse e shekullit të kaluar, ka hyrë në një krizë serioze dhe rrugë të vështirë”.
“Vakuumi që është shfaqur në demokracitë evropiane po mbushet nga demagogë të ekstremit të djathtë, siç u pa në zgjedhjet e fundit”, shtoi ai, duke iu referuar zgjedhjeve të së dielës në Gjermani, ku partia e ekstremit të djathtë “Alternativa për Gjermaninë” shënoi rritje.
Duke folur për Bashkimin Evropian, ai tha se anëtarësimi i plotë i vendit të tij do të përbënte një kontribut për bllokun.
“Vetëm Türkiye, anëtarësimi i plotë i Türkiyes, mund ta shpëtojë BE-në nga ngërçi në të cilin ka rënë, nga ekonomia në mbrojtje, nga politika te reputacioni ndërkombëtar”, theksoi presidenti turk.
“Është Türkiye, anëtarësimi i saj i plotë në BE, ajo që do të sigurojë ‘litar shpëtimi’ për ekonominë dhe demografinë evropiane që po plaken me shpejtësi”, tha Erdoğan.
Erdoğan kritikoi qëndrimin e Perëndimit ndaj gjenocidit izraelit në Rripin e Gazës, duke deklaruar: “Organizatat dhe liderët perëndimorë, që vështruan masakrën e më shumë se 61 mijë civilëve, shumica e të cilëve ishin fëmijë dhe gra, nuk e kaluan testin humanitar të Gazës”.