Mediat e huaja kanë raportuar në lidhje me vizitën e ish-presidentit, Hashim Thaçi në Kosovë, pas vdekjes së babait të tij. Mes tjerash, në artikujt e tyre është theksuar se ish-kreut të UÇK-së që po mbahet në paraburgim në Hagë, nuk iu lejua pjesëmarrja në varrim në fillim të kësaj jave.
Agjencia e lajmeve “Associated Press” dhe gazeta e njohur amerikane, “The Washington Post”kanë theksuar se gjykata në Hagë e lejoi Thaçin që ta vizitojë varrin e babait, që vdiq gjatë fundjavës.
Aty mes tjerash përmendet se ish-presidentit nuk iu lejua pjesëmarrja në varrim, ku të pranishëm pati liderë të partive politike në Kosovë dhe politikanë nga Shqipëria.
“Erdha i fundit, babë” – mediat kanë përmendur edhe mesazhin e Thaçit në kurorën që vendosi mb varrin e babait në fshatin Burojë.

“Ai ishte i shoqëruar nga zyrtarët policorë të EULEX-it” – raportohet tutje.
Po ashtu, në artikuj theksohet se Thaçi më pas u dërgua në shtëpinë e tij, ku takoi vetëm familjarët e afërt.
Siç u raportua më herët, ish-presidenti Thaçi do ta kalojë natën sonte në Kosovë.
Ai megjithatë, do të jetë nën mbikëqyrjen e rreptë të Gjykatës Speciale. Thaçi do të qëndrojë në zyret e EULEX-it në Kosovë.
Nesër atij do t’i shkojnë për takim familjarët e ngushtë. Pas këtij takimi, Thaçi do të kthehet sërish në Hagë.

