Që nga mesi i shekullit XX-të, dinamika e pushtetit dhe sistemi i aleancave që përbënin rendin global të pasluftës, patën një ndikim të madh tek fushatat për të pushtuar dhe për të fituar territore, një tipar në fakt i qëndrueshëm i historisë njerëzore.
Por në vend se të shënojë një shkëputje përfundimtare nga agresioni i së kaluarës, epoka aktuale e kufizimit relativ, duket tani se ka qenë vetëm një devijim i shkurtër nga modeli historik. Nga pushtimi rus i Ukrainës tek interesi i shpallur publikisht nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump për të aneksuar Grenlandën, gllabërimet e territoreve të vendeve te tjera janë rikthyer tashmë në tryezë.
Kërcënimet e pushtimeve territoriale, po zënë sërish një vend qëndror në gjeopolitikë, të nxitura nga një fazë e re e konkurrencës midis fuqive të mëdha, presioneve në rritje të popullsisë, ndryshimeve në teknologji, dhe ndoshta më e rëndësishmja, një klime në ndryshim e sipër.
Rasti i Grenlandës është shembulli tipik, se si ndryshimi i klimës mund të nxisë një garë globale për territore. Trump e risolli në vëmendje këtë çështje në prag të marrjes së detyrës, dhe në javët që pasuan, e ka përsëritur duke mos përjashtuar as përdorimin e forcës. Danimarka nuk është e interesuar të shesë Grenlandën dhe popullsia e saj vendase, është e kujdesshme ndaj fuqive të jashtme. Por kjo nuk e ka dekurajuar Trump. Interesi i tij për këtë territor, buron nga pozicioni i tij strategjik si një zonë tampon midis Shteteve të Bashkuara dhe kundërshtarëve të saj më të mëdha.
Por ndërsa planeti po ngrohet, shkrirja e akullit do ta bëjnë Grenlandën të rëndësishme për arsye të tjera: pasuritë e mëdha nëntokësore. Por oferta e Uashingtonit për Grenlandën është vetëm kapitulli i parë i një gare të re globale për territore. Janë të shumta cilësitë që e bëjnë të vlefshëm një territor, si qasja tek burimet, banueshmëria nga njerëzit, produktiviteti bujqësor dhe afërsia me rrugët tregtare.
Për dekada të tëra, vendet janë marrë me territoret më të përshtatshme. Por tani, ndryshimi i klimës po ndryshon çdo gjë. Kështu shkencëtarët besojnë se Grenlanda zotëron sasi të mëdha mineral hekuri, plumbi, ari, metale të rralla, uranium, naftë dhe burime të tjera të vlefshme, përfshirë mineralet e nevojshme për tranzicionin e energjisë së pastër. Ndërsa klima ngrohet, njerëzit do të detyrohen të largohen nga vendet aktualisht të banueshme për shkak të rritjes së nivelit të deteve, të nxehtit të padurueshëm dhe motit ekstrem.
Grenlanda do të bëhet shumë më e rehatshme për t’u banuar nga njerëzit sesa sot. Dimrat shumë të ftohtë do të zbuten, dhe vera do të ngrohet ndjeshëm. Vitet e fundit janë regjistruar temperatura mesatare më të larta në 1000 vitet e fundit. Ato janë rreth 1.5 gradë Celsius mbi mesataren e shekullit XX.
Rritjet e mëtejshme të temperaturës do të nxisin një bimësi të re dhe madje edhe bujqësinë. Parashikimet tregojnë se zonat e mbuluara sot nga bimësia e ulët do të mbulohen nga pyjet deri në vitin 2100. Ndryshimet klimatike do të krijojnë probleme të pazgjidhshme për disa vende, dhe do të hapin mundësi të reja për të tjerët, duke inkurajuar një garë për territore.
Për shembull do të shtohet migrimi nga Afrika e Veriut, Saheli dhe Lindja e Mesme, pasi temperaturat do të vazhdojnë të rriten dhe do të bjerë prodhimi bujqësor, Ndërkohë njerëzit do të tërhiqen nga zonat bregdetare të ulëta dhe të prirura nga përmbytjet, si delta e Gangut në Bangladesh dhe pjesë të Floridës bregdetare.
Klima veriore dhe zonat me lartësi më të madhe, do të tërheqin shumicën e këtyre popullsive të zhvendosura. Vendet me territoret me të mëdha mund të përfitojnë më shumë nga kjo situatë, nëse i luajnë siç duhet letrat e tyre. Të tilla janë Kanadaja dhe Rusia, dy vendet më të mëdha veriore në botë.
Bujqësia në të dyja vendet, mund të zgjerohet shumë si rezultat i stinëve më të gjata të kultivimit, temperaturave më të ngrohta dhe shkrirjes së permafrostit. Një model i fundit klimatik ka treguar se brenda vitit 2080 Kanadaja do të përfitojë 4.15 milionë km2 tokë shtesë të punueshme të përshtatshme për kultura të tilla si gruri, misri dhe patatet, një rritje me 4 herë.
Edhe Rusia do të fitojë një sasi të krahasueshme toke të punueshme. Ndonëse tokat nuk do të jenë të gjitha shumë produktive, shkalla e madhe e ndryshimit i pozicionon këto dy vende për të dominuar tregjet globale të drithërave në të ardhmen. Por Kanadaja dhe Rusia do kontrollojnë edhe rrugët kryesore të transportit ndërkombëtar.
Shkrirja e akullit po hap rrugë detare në Arktik, dhe transporti detar në rajon do të rritet më tej në këtë zonë. Po ashtu klima me butë, do të nxisë rritjen e popullsisë dhe nxisë aktivitetin e përgjithshëm ekonomik. Popullsia e Kanadasë pritet të rritet nga rreth 40 milionë sot në 100 milionë deri në vitin 2100, kryesisht nga shtimi i emigracionit dhe qendrat e zhvillimit rajonal.
Perspektiva e Rusisë është më e përzier. Ngrohja e zonave të mëdha të tundrës ka një potencial të rëndësishëm ekonomik. Por mbështetja e Rusisë tek hidrokarburet e bën ekonominë e saj të cenueshme ndërsa bota po zhvendoset drejt energjisë së rinovueshme. Territore të tjera veriore ka të ngjarë të pësojnë ndryshime të ngjashme: Finlanda, Norvegjia, Suedia dhe shteti amerikan i Alaskës.
SHBA-ja kontinentale dhe Kina, do të përballen me rënie të të korrave, rritje të migrimit nga zonat e tyre më të nxehta dhe më të prirura nga fatkeqësitë natyrore dhe ulja e produktivitetit. Përballë sfidave të forta ekonomike dhe demografike të lidhura me klimën, vendet do të përpiqen të përfitojnë nga çdo avantazh që munden.
Grindja për Grenlandën është vetëm fillimi. Janë dhjetëra territore në mbarë botën që i përshtaten një profili të ngjashëm, si Ishujt Faroe, Ishujt Falkland, Guiana Franceze ose Kaledonia e Re.
Antarktida është një tjetër mollë sherri. Gjatë Luftës së Ftohtë, fuqitë e mëdha nënshkruan Traktatin e Antarktidës, duke lënë mënjanë pretendimet territoriale mbi kontinentin dhe duke u angazhuar në eksplorime dhe bashkëpunime shkencore.
Tani Kina dhe Rusia e kanë përfshirë Antarktidën në strategjitë e tyre të sigurisë kombëtare. Edhe pse është e pamundur të parashikohet me siguri se ku dhe kur vendet do të përgatiten të shkojnë në luftë për tokën, tendencat mjedisore sot sugjerojnë shumë mundësi për agresion.
Kina mund të zgjerohet më tej në Azinë Juglindore apo edhe në pjesë të Rusisë Lindore ose Koresë së Veriut. Ndërkohë, Rusia mund të zgjerojë ndikimin e saj në Baltik dhe në vende të tilla si Norvegjia, që të sigurojë rrugët detare veriore dhe të zgjerojë qasjen e saj në det. Mund të bëjë të njëjtën gjë në Antarktidë, duke krijuar terrenin për konflikt me fuqitë e tjera të mëdha aktive atje.
Ndërkohë Shtetet e Bashkuara mund të pushtojnë dhe aneksojnë Grenlandën apo edhe pjesë të Kanadasë. Në një botë ku forca dikton se kush ka të drejtë, vendet që kanë nevojë për territore të reja, mund të mos hezitojnë të përdorin forcën. Teksa efektet më dramatike të ndryshimit të klimës pritet ende që të shfaqen, gara për tokë sapo ka filluar. “Foreign Affairs”