spot_img
Thursday, November 28, 2024
spot_img

Ëndrrat e djaloshit nga Gaza që bota e pa duke u djegur për së gjalli!


Imazhet e njerëzve që po digjeshin për së gjalli në kamp, në mesin e të cilëve edhe nëna e Al-Dalout, shtrënguan edhe aleatët më të mëdhenj të Izraelit, Shtetet e Bashkuara, që ta vinin në dyshim sulmin izraelit.

Linda Thomas-Greenfield, ambasadore amerikane në Kombet e Bashkuara, ka thënë të mërkurën e javës së kaluar se “kishte parë e tmerruar derisa imazhet nga Gaza qendrore u shfaqën në ekranin e celularit tim”.

“Nuk ka fjalë, thjesht nuk ka fjalë, për të përshkruar çfarë pamë”, ka thënë ajo në një deklaratë për Kombet e Bashkuara. “Izraeli ka përgjegjësi për të bërë gjithçka të mundshme për të shmangur viktimat civile, edhe nëse ‘Hamasi’ po operonte afër spitalit”.

NYT verifikon xhirimin

Xhirimi i trupit duke u djegur, të cilin familja e ka identifikuar si Al-Dalou është lokalizuar nga “The New York Times” në kampin e spitalit “Martirët e Al-Aksës”.

Al-Dalou, i cili po vuante prej traumës dhe kequshqyerjes në rrethimin e përshkallëzuar, shpesh kishte folur me hallën e tij, Karbahan Al-Dalou, për idenë e tij për t’u larguar nga Gaza.

“Ai kishte plan që të largohej, dhe pastaj të gjente një shteg për t’i nxjerrë edhe motrat, vëllezërit dhe prindërit e tij”, ka thënë ajo në një intervistë për “The Times”, derisa po qëndronte ulur në një dhomë spitali ku po kujdesej për të bijën e saj, Tahsim, e cila po rimerrte veten pas plagëve të shkaktuara nga ciflat në stomak nga i njëjti sulm.

Al-Dalou gjithashtu ishte marrë me internet, duke kontaktuar aktivistë jashtë vendit, të cilët kishin ndihmuar banorët e gazës që të mblidhnin fonde online.

“Më ndihmoni t’i ringjall ëndrrat”

“Duhet ta hapni zemrën për ne. Jam 19 vjeç dhe i varrosa ëndrrat e mia”, shkruante ai në një postim në Instagram. “Më ndihmoni t’i gjej përsëri”.

Fushata ia kishte dalë të mblidhte 20 mijë dollarë amerikanë. Megjithëse kishte mbledhur mjaftueshëm para për të paguar arratisjen nga Gaza për vete dhe për disa të afërm të tij, përpjekja kishte shkuar huq: Prej majit, Izraeli kishte mbyllur pikë-kalimin kufitar ndërmjet Gazës dhe Egjiptit, duke e bërë të pamundshëm realizimin e largimit.

Në një tekst mesazhi të shkëmbyer në maj që halla ia ka treguar NYT-it, Al-Dalou i kishte kërkuar nëse sëmundja e tij e kualifikonte për largim për evakuim mjekësor, sikur se kishte ndodhur në shumë raste. Ajo ia kishte kthyer se ishte e pamundshme, për shkak se edhe një mikeshë “motra e së cilës kishte humbur njërin sy, po kanë telashe që të gjejnë një shteg për të dalë” nga Gaza e rrethuar.

Megjithatë, sipas saj nipi, i cili shpesh i shkonte për drekë në tendë, ishte i vendosur që të largohej. Shaaban Al-Dalou shikonte lajmet, analizonte fjalimet e kryeministrit izraelit, dhe do t’i thoshte asaj: “Ki shpresë, gjithçka do të bëhet mirë, Zoti do ta na ndihmojë, hallë”, ka kujtuar ajo.

Ndryshe prej të gjithëve

Ishte një histori ndryshe krahasuar me ato të miqve të tij, ka thënë kushëriri dhe shoku i klasës i Shaaban Al-Dalou, Mohyeddin Al-Dalou. Gjatë luftës, shpesh kalonin orët e mbrëmjeve në bregun e detit.

Al-Dalou ëndërronte që të dilte jashtë vendit për të kryer studime doktorate në inxhinieri softuerike, të cilën e kishte studiuar qe dy vjet në Universitetin Al-Azhar në Gazë. Ai tashmë kishte hequr dorë prej ambicies për t’u bërë mjek, sepse familja e tij nuk mund t’i mbulonte shpenzimet e studimeve.

Dhe derisa lufta po vazhdonte, vizioni i Al-Dalout për t’u larguar do të transformohej prej një udhëtimi në vdekje.

“Gjithnjë e më shpesh, do të më thoshte se donte të martirizohej, dëshironte të ishte me miqtë e tij që ishin martirizuar, me gjyshin dhe gjyshen në parajsë”, ka thënë ai.

Vetëm dhjetë ditë para sulmit që ia mori jetën, Al-Dalou po i lante dhëmbët kur një sulm ajror qëlloi xhaminë afër spitalit, ku ai kishte kënduar Kuranin dhe kalonte natën. Edhe atëherë Izraeli do të thoshte se kishte qëlluar një qendër komanduese të “Hamasit”.

“Kthimi” nga parajsa

Në atë shpërthim, për të cilin autoritetet vendase thanë se la të vdekur 26 persona, një cifël ia kishte gërvishur qafën Al-Dalout. Krejt afër veshit. “Madje ende nuk i ishin shëruar shenjat”, ka thënë halla e tij, duke u shkrehur në vaj.

Në një postim në mediat sociale pas sulmit mbi xhami, Al-Dalou kishte përshkruar sesi ishte zgjuar në spital, duke u bërtitur mjekëve sesi e kishte takuar shokun Anas al-Zarad parajsë.

Al-Dalou duket se së fundmi ishte tronditur aq shumë prej vdekjes së mikut të tij, duke postuar fotografi me të si fëmijë, tinejxherë, duke qeshur e luajtur.

“Kurrë nuk kam ndjerë diçka më të tmerrshme sesa mendimi i mungesës së një të vdekurit”, do të shkruante ai në një postim. “Mendja njerëzore, me krejt qelizat e trurit dhe me krejt kapacitetin e tij për të absorbuar dhe krijuar, është e pashpresë kundrejt kësaj mungese”.

Ata që tani përballen me mungesën e njëjtë të Al-Dalout e kujtojnë si një djalosh larg më të zgjuar se mosha që e kishte. Thonë se energjia dhe ambiciet e tij ishin të pakufijshme. Këto virtyte e bënin të shoqërueshëm me të gjithë.

Lidhja e fortë me “nënën shoqe”

Halla e tij kujton sesi nëna e Al-Dalout, Alaa, e trajtonte të birin “më shumë si vëlla se si djalë të sajin”, me shumë biseda e diskutime intime e plot jetë.

Nëna e Al-Dalout i kishte shitur byzylykët e saj të artë për t’ia mbuluar studimet të birit. Kur lufta plasi vjet, ka thënë halla, Al-Dalou kishte përdorur paratë e fituar duke punuar online në inxhinieri softuerike për t’i blerë nënës byzylykët.

Por Al-Dalou kishte përdorur paratë edhe për ta ndihmuar babanë dhe dhëndrin, burrin e Karbahanit, të blinin pajisjet për të përgatitur e shitur ushqim para tendës së najlonit për të fituar pak para pasi në luftë ishte shkatërruar fabrika e veshmbathjeve ku punonin dy vëllezërit më të vegjël.

Babai i Al-Dalout ka thënë se raporti i tyre shkonte përtej atij të një babai dhe të biri.

“Ai i mbante sekretet e mia, dhe unë ia ruaja të tijat”, ka thënë ai, me fytyrën dhe krahët të fashuar prej djegieve. “Ne ishim miq, dhe unë isha krenar me këtë”.

Kujtimi i fundit i babait

Derisa po qëndronte duke shikuar zjarrin që ia mbërtheu gruan dhe të birin, kishte vazhduar të fliste me të birin. “I thashë Shaabanit se kurrë në jetë nuk jam ndier më i thyer sesa po ndihem tash. Kurrë në jetë nuk jam ndier më i mposhtur sesa po ndihem tani”.

Kujtimi i tyre i fundit është i një dite para zjarrit vdekjeprurës. Tretë kishin shkuar deri te plazhi, duke përtypur fara luledielli dhe duke biseduar. “Tani, mirë”, thotë ai, “Zoti e prehtë në paqe shpirtin e tij”.

Të premten e javës së kaluar, babai Al-Dalou pësoi një tjetër goditje të fortë: Djali i tij më i vogël, 10 vjeç, vdiq prej plagëve të thella të shkaktuara nga djegia pavarësisht përpjekjeve të babait për ta shpëtuar. Ai u varros krah nënës dhe vëllait të tij. Kallxo.com

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit