Emine Krasniqi ishte nga gratë e para që qëndisi flamurin kombëtar. Familjarët e saj kanë rrëfyer për tëvë 1, historikun se si “Marigona e Kosovës” arriti për dy vite ta qëndis flamurin kuq e zi e si ishte festa e 28 nëntorit brenda familjes Krasniqi ndër vite.
Çdo 28 nëntor, për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, familja Krasniqi nga Prishtina vendos flamurin në ballkon.
Por, lidhja e tyre me simbolin e shqiponjës dy krenare është më e veçantë, pasi një të tillë në pëlhurë të kuqe në vitin 1949 e qëndisi edhe Emine Krasniqi, e cila ishte zonja e kësaj shtëpie.
Në kohën kur gjithçka që kishte të bënte me shqiptaret ishte e kundërligjshme, Eminja e cila ishte vetëm 21 vjeçare kishte marrë guximin të punonte flamurin kombëtar.
E qëndisjen e bënte kur terri i binte tokës, nën dritën e llambës e larg syve të të gjithëve.
“Ajo e ka qëndisë natën vonë në llambë me dritë të llambës që mos me kuptu askush, ka hekë shumë, ka pas vështirësinë shumë, por ajo është betuar dhe e ka mbajtur betimi deri sa është zbuluar grupi. Dy motra ka qenë të martuar për dy vëllazi, motra motrës nuk i ka treguar, mos të flas për kunetë, ka qenë shumë besnike dhe është betuar dhe nuk i ka tregu”, ka deklaruar Drita Krasniqi – nusja e djalit tw Eminws.
Për ta qëndisur këtë flamur i cili ishte 2 metra, Marigona e Kosovës kishte bërë rreth 2 vite.
Megjithatë, pasojat e kësaj pune ishin shumë të mëdha për familjen Krasniqi.
“Kur është zbuluar grupi, ata të gjithë janë burgos, edhe vjehërri jem është burgos. Pastaj kanë ardhur kontrolla në shtëpi, UDBASH-ët në atë kohë. E kanë gjete në arkë flamurin që e ka qëndisë,vjehrra jem. Vjehrra jem aq më mallëngjim e aq me dashuri e ka fol, se ka qenë shumë patriote e madhe, në atë minutë e ka nxjerrë e kanë thyer arkën dhe e kanë marr flamurin”, tha ajo.
Madje vetë Emine Krasniqi për tre muaj radhazi, çdo ditë merrej në pyetje nga UDB-ja në lidhje me këtë flamur.
Por, kjo asnjëherë nuk e zbehu festën në familje, e cila niste me datën 27. E për të arsyetuar kremtimin kishin shpikur edhe një arsye.
“Kur vinte festa e 28 nëntorit shtëpia jonë buçitke prej muzikës, shtëpia jonë u zbukuroje me ballonë me flamurë me krejt, gjithmonë kanë qenë ballonët kuq e zi, na gjithë veshur kuq e zi. E ka prit atë 27 nëntorin -28 nëntorin se na e kemi festuar me 27 dhe 28 nëntor, ka qenë një gëzim shumë i madh. Pa zonjën Emine nuk ka më festa…… Atëherë ka qenë ma interesant se në mënyrë të fshehtë e kemi festuar, kemi thënë që është ditëlindja e babushit( vjehrrit) edhe ashtu ka mbet. Burri jem ka vdekur por flamuri ka valuar,ka valuar se vjehrri jem gjithmonë ka thënë se 27 nëntori është dita jonë edhe duhet me vendos flamurin”.
Krenar për gjyshen e tij ndihet edhe Gramoz Krasniqi, i cili tregon lidhshmërinë që kishte ajo me flamurin kuq e zi.
“Lidhshmëria ka qenë shpirtërore e saj, qaq shumë ka qenë e lidhur neve na ka thënë gjithmonë që duhet me dashte vendin e juaj. Ata kanë luftuar pa asnjë interes pa armë ka qenë një luftë ndryshe përmes qëndisjeve shkrimeve. Neve na kan tregu që vendin nuk mundeni me leshu, duajeni vendin juaj”, tha ai.
Emine Krasniqi vdiq në vitin 2017, por pas la kujtime të shumta.