“Sunny Hill Festival” ka qenë ashtu siç ishte paralajmëruar: një megaspektakël muzikor që e ka ngritur Bërnicën e Poshtme të Prishtinës në një skenë botërore me yje që kanë prekur majat. Statistikat, shifrat, prapaskenat janë tjetër histori. Tash për tash, është shkëlqimi i tij skenik, me katër net kujtimesh në Prishtinën si kryeqendër ngjarjesh botërore.
Të gjata kanë qenë katër netët e fundit në Prishtinë, ku për adhuruesit e muzikës dhe yjtë botërorë të muzikës, dielli ka lindur dhe perënduar me “Sunny Hill Festival”. Elektrizuese ishte finalja në Bërnicë të Poshtme, me DJ Snake deri në orët e para të mëngjesit. Ky ka qenë edicioni i katërt i festivalit, dhe i pari në shtëpinë e vet.
“Skenari” – prej hapjes me Bebe Rexhën pasuar nga Burna Boy e Stormzy – për ta finalizuar maratonën 96-orëshe të dielën e fundit të korrikut me mbrëmjen e elektrizuar të DJ Snake, shumë emra të tjerë botërorë e vendorë, kanë thurur kapitullin e “Sunny Hillit…”. Artisti francez ka qenë në tjetër dimension. Ka diçka tjetër pos repertorit të tij ikonik të këtij zhanri – mesazhet që përcjell nëpërmjet ritmeve.
Ritmet e muzikës tradicionale të Palestinës e kanë pasuar thirrjen e tij për liri të këtij vendi. Ai është bërë një me publikun të cilin e ka bërë për vete me simbolin e shqiponjës e duke e valëvitur flamurin e Kosovës derisa atë kombëtar e ka mbajtur në supe.
Fishekzjarrë në epilog
DJ Snake (38) ka elektrizuar me krijimtarinë e tij që përfshin veprat nga ato me të cilat ka kulmuar fama e tij e deri në më të fundit. “Turn down for what” si himn i këtij zhanri është dëshmuar si kryevepër edhe në Prishtinë të dielën pak para orës 23:00 kur është ngjitur në skenë.
Energjia që përcillet në tinguj e vokal e ka bërë publikun të reflektojë më tej në komunikim më të thellë me artistin në skenë nëpërmjet ritmeve të tij.
Në një orë, producenti i nominuar për “Grammy” për Albumin e Vitit më 2012, në miksetën e tij ka luajtur këngët bashkëpunime me artistë të mëdhenj si J. Balvin, Tyga, Selena Gomez e Cardi B. Me veprat “Lean On”, “Taki Taki”, “All I Need”, “Loco Contigo” e deri te “Teka” që është më e fundit e tij, e ka bërë madhështore performancën në skenën masive të “Sunny Hill Festivalit”.
Ka dëshmuar profesionalizëm në zotërimin e miksetës e në anën tjetër, është kujdesur ta bëjë publikun për vete e të komunikojë me të. Shpesh e ka bërë një me koreografinë e tij në skenë. Publiku masiv, më i madhi në numër në historinë e festivalit deri më tani, ndonëse nuk ka shifra zyrtare, ka ndjekur direktivat e DJ e producentit francez.
“Jepini më shumë dritë, më shumë dashuri…”
“Kosovë, çoni duart lart në qiell! Duartrokitni! Kjo është hera ime e parë në Kosovë”, ka thënë ai para se të interpretojë single-in e tij “Trust nobody”. Është ngjitur në majë të skenës dhe e ka përsëritur simbolin e shqiponjës.
“Kosovë, ju dua. E humba zërin mbrëmë, por sonte do t’ju jap gjithçka”, ka thënë ai me zërin e shterur. Paraprakisht kishte mbajtur koncert në Itali, ndërsa menjëherë pas performancës në parkun e “Sunny Hill Festival” është nisur për në Greqi.
Ka dërguar mesazhe të tjera derisa turmën e ka ftuar të ndezë dritat e telefonave.
“Jepini më shumë dritë, më shumë dashuri. Zoti e bekoftë Kosovën”, ka qenë një prej mesazheve që DJ Snake ka dhënë nga skena.
Ka thënë se do të kthehet prapë në Prishtinë, ndërsa fjala e tij e fundit ka qenë thirrja për liri të Palestinës.
“Do të kthehem prapë shpejt. Është hera e parë në Kosovë dhe audienca ishte kaq e mrekullueshme. Faleminderit shumë dhe liri Palestinës”, ka thënë ai pak para se të largohet nga skena.
DJ Snake është një prej artistëve top të botës së muzikës elektronike. Prej më të vlerësuarve dhe emër i shquar i këtij zhanri.
Francezi William Sami Étienne Grigahcine u rendit i nënti nga “Billboard” listën e tyre në vitin 2018 të muzikantëve ‘dance’.
Emri i tij skenik është histori më vete. Si i ri ishte artist i grafitit dhe çdoherë në shmangie të policisë, duke u cilësuar si gjarpër nga tjerët. Në moshën 14-vjeçare do të niste të merrej me muzikë elektronike dhe prej atëherë kishte marrë emërtimin sipas nofkës që i ishte vënë.
Dion Hoxha, student e sportist nga Mitrovica, ka thënë se elektrizuese ka qenë energjia e DJ Snake në Prishtinë.
“Ka qenë eksperiencë shumë e mirë, energjia ishte top. Ka ditur se si ta bëjë publikun të kënaqet dhe ta shijojë muzikën. Unë kam qenë një prej tyre, edhe pse nuk dëgjoj shumë muzikë elektro, por kur kemi këso DJ të mëdhenj që vijnë në Kosovë, atëherë edhe ne që si dëgjojmë, prapë jemi të tërhequr prej tyre”, ka thënë ai.
Diona Statovci, studente e dizajnit të enterierit, ka thënë se ka qenë e pritur performanca madhështore e DJ Snake.
“DJ Snake sot ka qenë tepër i mirë, e ka kallë. Shumë i mirë ka qenë. Atmosfera ka qenë shumë e mirë, ka pas shumë gjallëri. Siç e kemi pritur, nuk na ka dëshpëruar”, ka thënë ajo.
Këngëtarja nga Kosova me famë botërore, Dua Lipa, e ka përcjellë edhe natën e fundit. Pritej që të paktën të dilte në skenë e ta befasonte publikun.
“Na ka dëshpëruar pak, por ndoshta vitin tjetër interpreton”, ka thënë Olta Komoni, studente e dizajnit të enterierit.
Ndërsa Robin Parashumti, student i mjekësisë, ka thënë se ky edicion ka qenë i mangët për të, por është shprehur falënderues për organizimin e ngjarjes që për katër net e zhvendosi skenën ndërkombëtare në Prishtinë.
“Normalisht e kemi pritur Dua Lipën dhe mendoj se një pjesë shumë e madhe kemi ardhur për të. Nuk i dimë punët e saj, mund të ketë qenë shumë e ngarkuar me punë. Por është falënderim shumë i madh përderisa e bën këtë festival”, ka thënë ai.
Dua Lipa: Ndjenjë e madhe krenarie pas kësaj fundjave të gjatë
Por Dua Lipa ka thënë se është krenare edhe për edicionin e fundit të festivalit që e ka themeluar bashkë me babanë e saj, Dukagjin Lipa.
“Kam aq shumë për të postuar nga këto katër ditët e fundit në ‘Sunny Hill Festival’ sa nuk di as nga t’ia filloj!! Unë kam ngelur me një ndjenjë kaq të madhe krenarie pas kësaj fundjave të gjatë sa nuk mund të shkëputem nga të gjitha emocionet!!! Nuk mund të shpreh sa duhet gëzimin e pastër që është të dëshmosh që ky festival të bëhet ai që është bërë gjatë pesë vjetëve të fundit. Duke e parë atë të rritet dhe të bëhet diçka më shumë nga sa mund të kishim ëndërruar ndonjëherë”, ka shkruar këngëtarja në rrjete sociale.
Sipas saj, çka e bën dhe më të veçantë atë është fakti se e ka bërë këtë me të gjithë familjen e saj dhe të gjithë ata që janë pjesë e agjencisë “Republika”. “Të shohësh të gjithë duke punuar kaq palodhur gjatë gjithë kohës ka qenë gjëja më emocionuese, e bukur, frymëzuese, energjike, stresuese (nganjëherë), por gjëja më shpërblyese për të cilën jam shumë krenare të jem pjesë e saj. Nevojitet vërtet një armatë e tërë dhe ne e bëjmë këtë për qytetin tonë. Faleminderit të gjithëve që erdhët për t’u bashkuar me ne, të gjithë artistët dhe ekipet e tyre. U jemi shumë mirënjohës”, ka shkruar ajo në anglisht për të përmbyllur me një “Ju dua shumë”, në shqip.
Për festivalin në përgjithësi, Nora Gashi që jeton në Amerikë ka thënë se një festival në Chicago nuk dallon shumë me “Sunny Hillin” sivjet.
“Është shumë emocionuese për të gjithë ta dëgjojmë performancën e DJ Snake. Për festivalin në përgjithësi mund të them se, kam qenë në ‘Lollapalooza’ në Chicago dhe gati njëjtë duket. Por këtu njerëzit janë më të shoqërueshëm”, ka thënë ajo.
Pos DJ Snake në finale, ritme e traditë muzikore ka sjellë edhe DJ. MyGal, EdgarKerri, dhe artistët vendorë DJ. PM dhe Dagz, DJ. Banzz, DJ. Geek, DJ. Deezy dhe DJ Caboo.
Artistët kanë miksuar këngë të huaja e vendore. Sia, Dua Lipa e muzika orientale kanë qenë disa prej atyre që kanë lëshuar.
Rreth orës 00:00, publiku është ftuar të zhvendoset në skenën tjetër të dedikuar për muzikë elektronike.
“The Blaze” ka qenë kryesori në skenën “C4”. Dyshja e artistëve francezë Guillaume dhe Jonathan Alric, kushërinj midis vete, kanë luajtur ritmet e muzikës elektronike, ambient e dance. Aty pos tij, kanë interpretuar edhe artistët vendorë “Lab Sadiku dhe “Zogai”.
Në natën e fundit të edicionit të parë në shtëpinë e festivalit në Bërnicë të Poshtme është vërejtur dukshëm numër më i madh i publikut nga netët paraprake të festivalit.
“Sunny Hill Festival” i themeluar më 2018, e që ka për emër atë të një lagjeje në Prishtinë, me jehonën e tij tashmë ka kaluar kufijtë e Kosovës.