Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ilir Kulla tha se armatosja që Aleksandar Vuçiq po bën për Serbinë me avionët Rafale, “avionë të gjeneratës së pestë të NATO-s” është “një presion i qartë ndaj Prishtinës, ndaj partive në Mal të Zi dhe ndaj partive në Bosnjë”.
“Ky avion shkon me 1940 kilometra në orë. Nga Beogradi në Prishtinë ti e ke për 10 minuta”, tha Kulla.
Megjithatë Kulla tha se një sulm i tillë nuk do të ishte i lehtë për Serbinë pasi për të sulmuar me këta avionë, do të duhet ta merrte lejen e Francës.
“Rafalët janë përdorur për bombardimin e Serbisë para 25 viteve dhe në luftën e Bosnjës. Në të njëjtën kohë francezët duhet ti ndërtojnë Serbisë një qendër komande dhe kontrolli , duhet të trajnojnë njerëzit, por që të qetësojmë njerëzit, për shkak të teknologjisë së lartë që ka, Serbia do e kishte të pamundur të përdorte këta avionë në një luftë të mundshme, me Kroacinë, me Bosnjën apo me Kosovën, nëse francezët nuk do të donin. Duhet ti lejojnë ata që kanë satelitët, satelitët i ka Tales”, tha Ilir Kulla.