Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 111-të i Zyrës ë Prokurorit të Specializuar (ZPS), eksperti i mjekësisë ligjore, William Goodwin (i cili mbanë kodin W04875), në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Dëshmitari pohoi se ka përgatitur një raport më 22 shtator 2021 dhe sipas tij, ky raport përfshinë opinionin e tij të pavarur në pyetjet që ia parashtroi ZPS-ja në letrën udhëzuese së bashku me dokumentet përkatëse që e kishte marrë më 30 korrik 2021.
Sipas prokurorit James Pace, ky është një raport i ADN-së për një person të cilit nuk iu tha emri në seancë të hapur. Si rrjedhojë, prokurori lexoi një pjesë të raportit të këtij dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Në raportin tuaj thuhet se profili i ADN-së është i kriptuar që kufizon mundësinë për rishikim ë plotë. Megjithatë, bazuar në pjesëtarët e familjes që janë të disponueshem dhe leukocitet që përputhen, gjasat e përputhjes dhe probaliteti i identitetit duken të arsyeshme”, tha prokurori.
Për këtë gjë, dëshmitari tha se nuk ka asgjë për të ndryshuar në këtë pjesë.
Dëshmitari pohoi se pas udhëzimeve të ZPS-së, ka përgatitur një raport tjetër më 6 mars 2023.
Më pas dëshmitarit iu prezantua një pjesë e raporti ku sipas prokurorit mund të shihen tipat e personave të testuar.
“Shohim nënë, baba, bashkëshorte, vajzë, djalë. A mund të na thoni që informacionet shtesë që po shihni tani; nëna, babai, bashkëshortja, vajza, djali kanë ndonjë ndikim në vlerësimin tuaj në raportin tuaj?”, tha prokurori.“Në këtë rast kanë. Kemi të dhëna të plota. Kemi nënën, babain, të cilët me personin e zhdukur mund të rrisin jashtëzakonisht gjasat. Kem vajzën, djalin dhe bashkëshorten. Pra, bashkërisht mund të nxjerrim shkallë të gjasave të larta për secilin prej tyre”, u përgjigj dëshmitari.
Sipas kryetari të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij eksperti pritet të zgjasë një ditë. Nga kjo kohë, prokuroria ka parashtruar se i duhen një orë ndërsa mbrojtja rreth katër orë e gjysmë.
Vlen të theksohet se gjatë fillimit të seancës kishte probleme teknike në qasjen e transmetimit. Pas kësaj, një pjese të seancës i mungoi përkthimi në gjuhën shqipe sidomos kur u lexua një pjesë e raportit
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.