Dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se mashtruan familjarët e një pacienti duke kërkuar 100 mijë euro për trajtim shëndetësor në Turqi – edhe pse shpenzimet ishin të mbuluara nga Ministria e Shëndetësisë.
Burimet konfirmojnë se të arrestuarit Ilir Pacolli dhe Ahmet Berisha ishin përfaqësues zyrtarë të spitalit turk “Birun” për Kosovë.
Sipas hetimeve të para, Pacolli dhe Berisha kishin përdorur pozicionin e tyre zyrtar për të ndikuar te familja e pacientit, duke e bindur se duhej paguar një shumë shtesë prej 100 mijë eurosh për realizimin e trajtimit në Turqi – ndonëse vendimi zyrtar për mbulim të plotë ishte dhënë nga shteti.
Ajo që e rëndon më shumë rastin është fakti se dyshimet janë se veprimet janë kryer pa dijeninë dhe pa autorizimin e vetë spitalit “Birun”, duke shfrytëzuar emrin dhe besimin që përfaqësimi zyrtar mbart.
Ky mashtrim i rëndë ka ngritur alarmin për mungesën e kontrollit mbi individët që veprojnë si ndërmjetës shëndetësor, duke rrezikuar jo vetëm pasurinë e qytetarëve, por edhe integritetin e institucioneve shëndetësore ndërkombëtare që operojnë në Kosovë.