Dy persona kanë humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur në një ngjarje tragjike që ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Volkovë, të Shkupit.
Kështu konfirmoi Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut.
Ngjarja ka ndodhur pasi një qiramarrës ka qëlluar disa herë pronarin e shtëpisë dhe ka plagosur djalin e tij të mitur.
Sipas dëshmive të para, pas aktit të dhunshëm, autori i dyshuar ka marrë jetën e tij me një plumb në kokë. Banorët e zonës treguan se janë zgjuar nga të shtënat me armë, të ndjekura nga sirenat e policisë dhe ambulancës.
Për momentin, motivet e këtij akti të rëndë janë të paqarta, dhe policia ka njoftuar se do të ofrojë më shumë informacion në lidhje me rrethanat dhe sfondin e ngjarjes gjatë ditës.
“Rreth orës 09:00 në SPB Shkup është denoncuar se në fshatin Vollkovë të rajonit të Shkupit ka pasur të shtëna me armë zjarri, me ç’rast janë plagosur disa persona. Në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e policisë dhe është konstatuar se R.C. dhe M.N. nga plagët e marra kanë vdekur në vendngjarje. Një mjek i urgjencës konstatoi vdekjen. I plagosur ka mbetur edhe një i mitur i cili është transportuar për mjekim në Kompleksin Klinikë “Nënë Tereza”. M.N. është autor i mundshëm i vrasjes”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Nga Klinika e Traumatologjisë është njoftuar se gjendja e të plagosurit është e qëndrueshme, dhe po vazhdon me trajtimin e nevojshëm.
Ndërsa, nga ana tjetër forcat policore janë ende në rrugët e Vollkovës, ndërsa policia po kryen hetim në vendin e ngjarjes.