Dhuna në familje, kushtet e jetesës, rrethanat ekonomike, e depresioni shpesh janë vlerësuar shkaktarë që kanë çuar drejt vetëvrasjes e tentimit për ta kryer këtë akt. Familjet janë ato që i përjetojnë jashtëzakonisht rëndë këto raste dhe janë me fat kur arrijnë t’i shpëtojnë familjarët.
Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë në një familje në Prizren, ku një grua tentoi t’i jap fund jetës së saj, duke konsumuar një sasi të madhe të medikamenteve.
Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një 44-vjeçare, e cila është dërguar në këtë qendër posa i është përkeqësuar gjendja shëndetësore.
Sipas informacioneve të para, pas intervenimit të ekipit mjekësor, gjendja e saj është stabilizuar dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Policia është njoftuar për rastin nga spitali dhe më pas një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar ‘Vetëvrasje në tentativë’ dhe kanë nisur hetimet që zbardhin motivet dhe rrethanat e rastit.