Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.
Një rast i rëndë ka ndodhur mbrëmë në një familje në Prishtinë, ku dy persona dyshohen se kanë ushtruar dhunë ndaj babait të tyre.
Viktima e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se pas një konflikti me vajzën dhe djalin, të dy e kanë sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar frikë e shqetësim të madh.
Si rezultat i denoncimit, vajza 25-vjeçare është arrestuar, ndërsa djali 23-vjeçar ka arritur të largohet dhe akoma nuk është kapur.
E dyshuara është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, e njëjta është dërguar në mbajtje dhe rasti është iniciuar si ‘Dhunë në familje’.