Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, ka dorëzuar padi për shpifje ndaj analistit Sadri Ramabaja, për deklaratat e tij të bëra më 7 prill 2025 në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Balje përmes një njoftimi publik.
“Sot, më 25 prill 2025, kemi dorëzuar padinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Shpresojmë që kjo padi të ndikojë sadopak në përmirësimin dhe ruajtjen e imazhit tim, i cili është cënuar nga deklarimet e tani të paditurit Ramabaja”, thuhet në deklaratën e saj.
“Deklarimet e tilla me përmbajtje propagandistike kanë pasur ndikim që unë dhe familja ime të ndihemi të shqetësuar”, ka theksuar ajo.
Në anën tjetër, Sadri Ramabaja ka deklaruar se Balje s’ka asnjë arsye të bëjë padi ndaj tij.
“S’ka pasur asnjë arsye për të më paditur mua. Ajo është e drejtë e saj dhe përballemi në gjyq”, ka deklaruar Ramabaja, për “Betimi për Drejtësi”.
Sadri Ramabaja ka bërë një deklaratë në emisionin “Debat Plus”, ku ka pretenduar se deputetja Duda Balje ka pasur kontakt me Milan Radoiçiqin, ish-nënkryetar i Listës Serbe dhe kryeorganizator i sulmit terririst në Banjskë.
Ai ka theksuar se, sipas informacioneve të tij, Balje është takuar me Radoiçiqin më 28 shkurt, ose ka pasur një telefonatë me të.
“Unë e kam pasë informacionin se ajo është takuar me Radoiçiqin më 28 shkurt, ose ka pasë telefonatë”, kishte deklaruar Ramabaja.