Sot, në sallën sportive “Ilaz Kodra” në Burojë të Skenderajt, është duke u mbajtur ceremonia e ngushëllimit për Haxhi Thaçin, babain e ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili ndërroi jetë më 16 mars.
Kryetari i Skenderajt Fadil Nura, ka vlerësuar lartë personalitetin e tij.
Ai ka rrëfyer se edhe në takimin e fundit me të që e ka pasur para disa ditëve, Haxhi Thaçi ishte plotë shpresë.
Ai po shpresonte për lirimin e Hashim Thaçit në pranverë.
“Baci Haxhi, jo vetëm që iku nga kjo botë me mallin për djalin e tij por iku pa e kuptuar se pse Hashim Thaçi si një nga çlirimtarët e Kosovës që e solli lirinë po vazhdon të qëndroi në një ambient burgu jashtë vendit të tij për të cilin punoj deri në nëntorin e vitit 2020, për të vazhduar betejën për drejtësi. Me vdekjen e tij pushuan dhembjet fizike që e rënduan kohët e fundit por jo sa ato që shkaktohen në shpirt. Jo shumë larg nga dita e sotme, teksa i bëra një vizitë në klinikë e gjeta me vullnet të fortë e shpresë plotë. Më përcolli deri te dera më tha Fadil, po, po, rrini pa marak, jam mirë sot e nesër e kysmet në Burojë se tash vjen pranvera në natyrë e lule të mira. E kam një shpresë të madh se edhe Hashimi dashtë Zoti po na vjen e po e bëjmë një fest se qysh e ka rendi”, tha ai.