Wednesday, April 2, 2025
spot_img

E doni apo jo Vjosa Osmanin, ajo duhet ta ketë dhe një mandat si presidente!

Shkruan prof. dr. Enver Bytyçi

Vjosa Osmani është prej katër vitesh presidente e Republikës së Kosovës. Pas një viti e mbaron mandatin e parë të saj në detyrën e kryetares së shtetit. Por a mund dhe a duhet që zonjës Osmani t’i jepet edhe një mandat tjetër? Pa dyshim se duhet. Kjo do të ndodhë, nëse partitë politike nuk bëjnë pazare për postin e presidentit për krijimin e koalicionit të qeverisjes. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur tashmë fituesit, i ka çertifikuar zgjedhjet. Presidentja pritet të dekretojë mbledhjen konstituive të parlamentit të ri. Pas kësaj dhe zgjedhjes së kryetarit të parlamentit, i takon presidentes të ngarkojë Albin Kurtin për krijimin e qeverisë.

Ndërkohë Albin Kurti duket se i ka vënë piketat për ta finalizuar qeverinë e re. Nuk besohet se ai do të heqë dorë nga kjo e ta lerë në dorë të fatit këtë mision. Mbas tre deputetëve të Fatmir Limës me shumë mundësi Kurti preferon të ketë në koalicion edhe katër deputetët e tjerë të koalicionit Haradinaj-Limaj. Shumëkush mendon e kujtohet për akuzat e rënda të Ramush Haradinajt ndaj Kurtit, ndër më fyeset ajo në mbledhjen e përbashkët të parlamentit të Shqipërisë dhe të Kosovës. Por më besoni: – Haradinaj ndikohet shumë prej atyre njerëzve që ai i konsideron “të mençëm”, pa menduar gjatë se shumë prej tyre kanë zgjuarsinë e djallit. E zgjuarsia e djallit vetëm njeriut nuk i duhet, sidomos njerëzve me dinjitet e integritet. Prandaj dhe ai e merr kthesën shpejt. Ramush Haradinaj njihet për kthesa të forta.

Por në këtë “aventurë” kryetari i AAK-së do të donte të bëhej president i Republikës së Kosovës. Me këtë çmim nuk mund të bëhet ky lloj pazari i formimit të koalicionit qeverisës. Qeverisja ka nevojë për parime, për ta jetuar momentin që kalojmë sot. Për t’i përballuar sfidat duhet diçka më shumë se forca e e Ramush Haradinajt. Duhet më shumë aftësi për ta përfaqësuar shtetin e Kosovës. Kjo do të thotë se Vjosa Osmani do të duhet t’i vazhdojë punët e mira me kontaktet që ka krijuar te miqtë e Kosovës. Vjosa Osmani di të artikulojë, di të bëjë miq, di të sillet dhe të fitojë zemrat e aleatëve dhe për pasojë i jep shumë më tepër shanse Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, sesa ata që i njohim. Ajo di të argumentojë dhe t’i bindë partnerët për të drejtën e Kosovës.

Ndërkohë mbështetja e qytetarëve për presidenten e sotme të Republikës së Kosovës është e konsiderueshme. Sepse ajo nuk është konformiste. Çka do të thotë se nuk është e kapur dhe peng e ndokujt. Vjosa Osmani ka dëshmuar se e do Kosovën me zemër. E ka dëshmuar këtë edhe kur gjysma ose ndoshta pak më shumë se gjysma e lidershipit të Kosovës ishin të tulatur, psh me idenë e ndryshimit të kufijve dhe ndarjen e Kosovës. Ajo qe e para që foli dhe doli kundër atij projekti. Më pas e ndoqën edhe shumica e politikanëve të Kosovës, duke lënë në minorancë ish-presidentin dhe këshilltarët e tij, të cilët edhe sot vazhdojnë thuajse të njëjtën melodi.

Vjosa Osmani ishte e para, që kuptoi rrjedhën e gabuar deri diku anti-rugoviste të partisë ku ajo bënte pjesë. Ishte e vetmja që kundërshtoi koalicionin e LDK-së me PDK-në e Thaçit e madje votoi kundër zgjedhjes së këtij të fundit si president i Republikës. Mos mendoni se ishte aq e lehtë asokohe të bëheshe barrierë kundër dy më të fuqishmve të Kosovës, Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës. E vetmja enigmë e imja është afrimi i saj, për mua më shumë se duhet, me kryeministrin e Shqipërisë, edhe pse Edi Rama ka dëshmuar se “është kryeministri më i mirë për Serbinë, që nga koha e Pashiqit” (1912-1926). Por mund ta besojmë të gjithë se ka diçka me të cilën presidentja mund ta justifikojë këtë marrëdhënie, të cilën e ndryshoi rrugës së saj politike madje si kryetare e shtetit të Kosovës.

Megjithatë, çfarëdo që të ndodh në bisedimet për krijimin e qeverisë së re. Me AAK-në, LDK-në apo PDK-në, tema e presidentit duhet të qëndrojë jashtë marrëveshjes. Një marrëveshje me kushte postin e presidentit nuk është në dobi të Kosovës. Jo se nuk ka politikanë të tjerë në Kosovë që meritojnë të jenë i pari i vendit, por se nuk është koha të rinisim gjithnjë nga e para.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit