“As për pesë orë s’do të na zgjasë”. Kjo është përllogaritja kohore që Kurti ia bënte jetëgjatësisë së një koalicioni të mundshem me Lidhjen Demokratike të Kosovës përgjatë një tubimi elektoral në Prizren në shkurt të këtij viti.
Kurti shprehej se Lëvizja Vetëvendosje s’bën koalicion me ta, sepse ka koalicion me popullin.
“Deri më 9 shkurt le ta kursejmë edhe gjumin po jo punën. Prandaj, vetëm kështu do të jemi të sigurt që i kalojmë 500 mijë vota dhe e kemi fitoren e cila na e mundëson të qeverisim sigurt, vetë ne, vetë ne që vetëvendosim pa kurrfarë nevojë për dikë tjetër, I cili veç ka dashtë me na qit zall në rrota në rastin ma të mirë por përndryshe sia ka dashtë të mirën vendin tonë. Me këtë rast unë jua konfirmoj edhe njëherë, na e kemi provu koalicionin me ta 51 ditë na ka zgjatë. O për zotin qetash as 5 orë s
mundet me zgjatë. Kështu që na s`bojmë koalicion me ta. Na kemi koalicion me njëri-tjetrin, me popullin”, thoshte ai.
Pos tjerash, në fushatë thoshte edhe se LDK bashkë me partitë e tjera janë të pareformuara.
“Kur e kemi parasysh se sidomos në muajt e fundit sulmet që janë bërë ndaj subjektit tonë, ndaj qeverisjes së mirë dhe demokratike nuk shohim mundësi që të kemi çfarëdo koalicioni në mandatin tjetër, për më tepër që nuk do të jetë as i nevojshëm”, deklaronte në një intervistë Kurti.
Për tre muaj, Kurti ndryshoi krejtësisht qëndrimet. Madje paragjykoi edhe qëndrimin e votuesve të LDK’së mbi koalicionet në një letër lutjeje ndaj Lumir Abdixhikut për koalicion.
“Jam i bindur që votuesit e LDK-së sot e preferojnë më së shumti koalicionin me LVV. Edhe votuesit e LVV e preferojnë po ashtu më së shumti koalicionin me LDK. Pse të mos e bëjmë? LVV nuk është e interesuar për koalicion me PDK. Ne edhe mund të shkojmë në zgjedhje të reja ku pak çka mund të ndryshojë për LDK-në dhe mandej sërish do të na duhet të ulemi bashkë për koalicionin LVV-LDK! Pse ta bëjmë atëherë më vonë, kur mund ta bëjmë tash? Pse edhe një palë zgjedhje për koalicionin e njëjtë?”, tha Kurti, në letrën që u bë publike pas dështimit të 11-të të seancës konstituive të Kuvendit.