spot_img
Thursday, November 28, 2024
spot_img

Dy gjigantë të qytetërimit shqiptar, Shën Jeronimi dhe Shën Nënë Tereza

GJURMËVE TË RRËNJËVE TONA

Abas Fejzullahi

Përgatitur nga Abas Fejzullahi

Misioni Katolik Shqiptar dhe Shoqata Bamirëse „Nënë Tereza“ në kantonin e Luzernit të Zvicëres, janë bashkë organizator të mbrëmjes kulturore: GJURMËVE TË RRËNJËVE TONA, kushtuar dy figurave me rëndësi historike jo vetem për hapësirën gjeografike shqiptare por edhe atë botërore me të dhëna e dëshmi historike përmes trajtimit të temës:

SHËN JERONIMI DHE SHËN NËNË TEREZA, DY GJIGANTË TË QYTETËRIMIT SHQIPTAR“ nga Prof. Dr. Muhamet Malaj.

Në mbrëmjen e 23.11.2024 në Emmenbrüke të Luzernit, organizatorët e mbrëmjes kulturore, mirëpriten me dashamirësi e për mrekulli mbi 300 pjesëmarrës që kishin ardhur nga katër anët e Zvicrës ku jetojnë dhe punojnë bashkëatdhetarët kurbetçarë, si edhe nga Gjermania të cilët kanë qenë me kohë të lajmëruar e thirrur përmes Ftesës dhe programit të shpërndarë. Me që Salla ishte përplot ku qëndronin edhe në këmbë, organizatori në fjalën përshëndetëse mes tjerash tha: siç po shifet herave tjera duhet me siguruar një sallë edhe më të madhe se kjo qenka e vogël për ti zënë të gjithë të interesuarit!

Pamje nga pjesëmarrësit në sallë

Paraqitjen dhe rrjedhen e programit e udhëheqen në mënyrë profesionale folësit: Znj. Jehona Gashi dhe z. Dan Morina.

Dr. Don Anton Uka, Udhëheqës i Misionit Katolik Shqiptar në Luzern, nga foltorja Ju drejtue të të gjithë pjesëmarrësve të pranishëm dhe i falëndoi përzemërsisht që s’bashku këtë mbrëmje të organizuar kulturore ta bëjmë sa më madhështore, përmes programit që do e paraqesim sonte, kushtuar dy figurave madhështore të qytetrimit shqiptar: „SHËNË JERONIMIN DHE SHËNË NËNË TEREZËN“.

Kori i Misionit Katolik Shqiptar në Luzern
hapi programin me Himnin kushtuar Nënë Terezës.

Dr. Don Anton Uka, në vazhdim paraqiti një vështrim përmbajtësor kryesisht kushtuar krye temës: GJURMËVE TË RRËNJËVE TONA“ temë me shumë rëndësi në shumë drejtime në kohë dhe hapësirë, për rrjedhatë dhe zhvillimet lidhur me çështjen kombëtare si dhe për ruajtjen dhe kultivimin e rrënjëve tona arbërore kulturore, gjuhësore dhe shpirtrore në hapësiratë gjeografike shqiptare dhe kudo në kurbet ku gjinden jetojn dhe punojnë bashkëatdhetarët tanë.

Në vijim fjalimi i plotë i lexuar në mbërmjen kulturore:
RRËNJËT TONA NA BASHKOJNË

(Fjalimi i plotë i Dr. Don Anton Ukës mbajtur më 23 brymor (nëntor) 2024
në Emmenbrücke në mbrëmjen kulturore “Gjurmëve të rrënjëve tona”
)

Monsinjor i dashur dhe shumë i respektuar Lush Gjergji
I nderuari Konsulli i Republikës së Kosovë, z. Vigan Berisha
I nderuari prof. Dr. Muhamet Malaj

Të nderuar meshtarë, motra të nderit, profesorë, përfaqësues të botës politike, artistë, piktorë, moderatorë, gazetarë dhe përfaqësues të medias, të nderuar pjesëmarrës dhe dashamirës të Misionit Katolik Shqiptar në Lucern dhe të Shoqatës Humanitare “Nënë Tereza” këtu në Zvicër, më lejoni t’ju përshëndes dhe ju uroj mirëseardhjen në edicionin e dytë të Gjurmëve të Rrënjëve tona, i cili këtë vit ka në fokus Shën Jeronimin dhe Shën Nënë Terezën, dy gjigantë të qytetërimit shqiptar.

Qëllimi apo ideja e fillimit të këtyre takimeve kulturore, siç kemi theksuar në edicionin e parë kushtuar arbëreshëve, lind nga një arsye e dyfishtë: së pari nga dëshira për të dhënë një kontribut që diaspora jonë shqiptare këtu në Zvicër të ruajë vetëdijen identitare dhe të rris përkushtimin ndaj kulturës, historisë, traditës, gjuhës, simboleve dhe figurave tona kombëtare dhe së dyti nga nevoja për t’u thënë jo atyre dukurive të dëmshme për traditën, gjuhën dhe kulturën tonë, që fatkeqësisht në Kosovën e pasluftës janë shfaqur edhe në institucionet fetare, kulturore dhe politike, detyra apo misioni i të cilëve do të duhej të ishte ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore, kurrsesi shkatërrimi apo deformimi i saj.

“Kush nuk i njeh rrënjët e veta nuk mund ta dijë për çka ka nevojë pema e jetës së tij që të rritet dhe të zhvillohet përbrenda,” shkruan autori i famshëm gjerman, Anselm Grün.

Nga kjo thënie kuptojmë se pema e jetës, qoftë ajo e një njeriu, e një familjeje, e një kombi, e një kulture e një tradite, ka nevojë për rrënjët e veta që të rritet e zhvillohet brenda saj, përndryshe është e destinuar të vdesë. Ne nuk duam dhe nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë, sepse ruajtjen dhe kultivimin e rrënjëve tona e kemi amanet nga jeta, fjala dhe gjaku i derdhur i të parëve tanë.

Tani me dëshirën për të përcjellë një mesazh për ju të dashur të pranishëm dhe për ata që na ndjekin përmes rrjeteve sociale, vendosa të ndalem shkurtimisht në tre karakteristika themelore të rrënjëve.

1. Rrënjët tona na bashkojnë dhe na mbajnë të bashkuar
Me shprehjen rrënjë nënkuptojmë simbolikisht ato elemente të thella dhe themelore që përbëjnë identitetin e një kombi. Rrënjët e një kombi janë ato që e bëjnë atë të veçantë, pra unik dhe koherent me kalimin e kohës, pa prishur harmoninë dhe integrimin me kombet dhe kulturat e tjera.

Rrënjët që e mbajnë të bashkuar një komb janë historia dhe tradita që e ka formuar atë, duke i dhënë atij një trup, një identitet dhe një qytetërim.

Një element tjetër shumë i rëndësishëm i rrënjëve të një kombi është gjuha si mjet komunikimi që bashkon njerëzit. Prandaj ne duhet ta ruajmë gjuhën shqipe në mjediset tona familjare, kulturore dhe fetare, sepse pa të nuk do të mund të transmetojmë kulturën, vlerat dhe njohuritë nga një brez në tjetrin, pa gjuhën do të jetë e vështirë dhe pothuajse e pamundur të ruhen traditat tona.

Një element tjetër integral i rrënjëve të një populli është feja dhe vlerat shpirtërore. Në këtë fushë, ne shqiptarët, për shkak të faktorëve historikë tashmë të njohur, ndahemi kryesisht në të krishterë dhe myslimanë.

Në takimin e javës së kaluar mes nesh priftërinjve të Kishës Katolike që shërbejmë në Zvicër dhe disa hoxhallarëve, që u zhvillua në Cyrih, nën patronatin e konsullit të nderuar z. Vigan Berishës, në fjalimin tim mes tjerash theksova: “Shumë të nderuar, ne e dimë se pikëpamjet tona fetare janë të ndryshme, madje mbi disa tema shumë të ndryshme, po ashtu edhe mbi teologjinë, doktrinën dhe moralin, megjithatë kemi edhe të përbashkëta sepse fetë tona janë monoteiste, pra ruajnë besimin në një Zot të vetëm. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të komunikojmë dhe të debatojmë duke ruajtur respektin e ndërsjellë dhe në këtë mënyrë të ndihmojmë popullin, veçanërisht ata persona që janë në kërkim të një identiteti shpirtëror, të vendosin me vetëdije, më liri dhe me përgjegjësi se cilën fe, cilën doktrinë dhe çfarë disipline etike dhe morale dëshirojnë të ndjekin, të besojnë dhe kështu pastaj t’ua kalojnë brezave të rinj.

Por kjo ndryshueshmëri apo ky dallim që ekziston në pikëpamjet tona fetare nuk duhet të jetë i tillë përballë identitetit tonë kombëtar, sepse historia, tradita, kultura, figurat tona kombëtare janë të përbashkëta dhe duhet të mbeten gjithmonë të tilla, këto nuk mund të cenohen e as të shtrembërohen, aq më pak të fyhen sipas tekave të caktuara apo interesave personale, fetare dhe politike. Nëse nuk e pranojmë, vlerësojmë dhe promovojmë këtë trashëgimi historike dhe kulturore ashtu siç ajo është më të vërtetë, atëherë komunikimi konstruktiv do të bëhet i pamundshëm, uniteti ynë do të dobësohet dhe vizioni për të qenë pjesë e pandashme e familjes së madhe evropiane do të pengohet, dhe kështu do të mbetemi peng të vetvetes.”

2. Rrënjët tona na frymëzojnë
Një karakteristikë tjetër e rrënjëve kulturore është frymëzimi që jep jetë dhe mban në jetë. Rrënjët dhe trashëgimia kulturore duhet të jenë burim krijimtarie, shprehjeje dhe risie për një popull pa humbur origjinalitetin dhe identitetin. Kur një popull e lë veten të frymëzohet nga rrënjët e tij kulturore, atëherë ato rrënjë do të marrin formë duke gjetur shprehje konkrete në muzikë, vallëzim, poezi, art, letërsi, aktrim dhe gatim, sinteza e të cilave është kjo mbrëmje festive, e cila shpalos përpara nesh këto vlera dhe tradita të përbashkëta. Nga sa themi kuptojmë më mirë se rrënjët tona kulturore nuk janë dhe nuk mund të jenë pengesë për zhvillimin apo integrimin, përkundrazi, ato janë pikënisja pa të cilën nuk do të dimë se ku jemi dhe ku duam të shkojmë.

3. Rrënjët tona na tregojnë rrugën që duhet ndjekur
Në shprehjen: Gjurmëve të rrënjëve tona, ndeshemi me ftesën e shenjtë që na bëjnë të parët tanë për të ndjekur gjurmët e tyre dhe kështu të jetojmë me mençuri të tashmen, duke u orientuar drejt së ardhmes perëndimore që na kanë trasuar të parët tanë.

Shkrimtari ynë i madh Kadare, i vlerësuar nga më të mëdhenjtë e qytetërimit botëror si rojtari i së bukurës dhe lirisë njerëzore, sikur përmbledh të gjithë trashëgiminë tonë kulturore e shpirtërore, duke ftuar këdo që ndihet vërtetë shqiptar të jetë flamurtari i identitetit të tij evropian.

Në këtë kuptim, rrënjët tona kulturore mund të shihen si një busull që drejton rrugën tonë, duke treguar një rrugë të bazuar në vlera, tradita dhe përvoja që formojnë një qytetërim të jetës, lirisë dhe dashurisë. Këto rrënjë jo vetëm që ofrojnë një ndjenjë përkatësie, por gjithashtu na ndihmojnë të përcaktojmë se kush jemi, nga vijmë dhe ku duam të shkojmë.

Prandaj rrënjët kulturore të çdo populli nuk janë pengesë për zhvillimin, por një thesar i çmuar që na ndihmon të orientohemi në botën bashkëkohore. Ato na ofrojnë një themel nga i cili duhet të fillojmë apo të nisemi, një vizion për të ardhmen që integron respektin për të kaluarën dhe inovacionin, duke na udhëhequr nëpër sfidat dhe mundësitë e jetës së përditshme.

5. Prof. Dr. Muhamet Malaj, lexoi pjesë nga punimi i tij hulumtues dhe studiues në hollësi e thellësi lidhur me figurën madhështore të Shën Jeronimit të titulluar: „Shën Jeronimi, urëlidhësi mes ilirisë dhe botës perëndimore në shërbim të Fjalës së shenjtë“ Në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe brilante paraqiti figurën e Shënë Jeronimit në kohë dhe hapësirë si dhe veprimtarinë e tij në shumë drejtime si dhe gjurmët e pa shlyra që ka lënë për qyterimin shqiptarë dhe botërorë jeta dhe veprimtaria e tij Prmendi dhe ballafaqimet e Shënë Jeronimit gjithandej ku jetoi dhe veproi si dhe periudhën e jetës së tij që e ka bërë si astek etj.

Të pranishmit në shenjë falënderimi e duartrokiten shpeshëherë gjatë ligjëratës së tij pothuajse gjysëm ore, për të dhënat e paraqitura për Shënë Jeronimin jetën dhe veprën e tij krijuese, kulturore, historike dhe shpirtërore si për popullin tonë por edhe në hapësirat gjeografike botërore. Ai, bëri me dije edhe për rreziqet ekzistuese në vazhdimsi nga përvetësimi nga të tjerët i kësaj figure siç janë përvetsuar edhe shumë figura e kulte fetare nga të tjerët.

6. Dr. Don Lush Gjergji rrjedhëshme e në mënyrë brilante dhe shumë domethënëse foli lidhur me temën: „Nënë Tereza në 45 vjetorin e marrjes së Çmimit Nobel për Paqe“
Si, gjurmues, hulumtues e studiues në hollësi e thellësi dhe njohësi më i mirë e më sakti në të gjitha drejtimet, lidhur me jetën dhe veprën e bamirëses me famë botërore Gonxhe Bojaxhiut e mirënjohur në tërë botën si Nëna Terezë, me gjuhë, traditë gjak e kulturë shqiptare.

Dr. Don Lush Gjergji, tregoi se në vitin 1979 Jugosllavia kishte kërkuar që Çmimi Nobel për Paqe, ti ndahej Titos.Mirpo reagimet e shumta për veprimtarin e tij gjatë e pas luftës së dytë botërore me burgosje dhe vrasje të shumta i kthet përgjegje negative parashtruesëve të Kërkesës. Edhe për Papen e Romës n’at vitë kishin paraqitur kërkesë për të njejtin çmim. Kërkesa ishte kundërshtuar nga komisioni që vendos me arsyetimet e dhëna.

E treta e vërteta tha mes tjerash Dr. Don Lush Gjergji: Komisioni për shqyrtimin e Kërkesave të paraqitur shqyrtoi Kërkesen e paraqitur nga anëtari i komisionit për ndarjen e Çmimit Nobel për Nanë Terezen dhe një zërit komisioni mori Vendim dhe ndau Çmimit Nobel për Paqe për Gonxhe Bojaxhiun e njohur në tërë botën si Nana Terezë, që Ju dorzua në Oslo më 10.12.1979.

Pjesëmarrësit me emocione në shenjë falënderimi e nderpren fjalimin e Dr. Don Lush Gjergjit, me duatrokitj për të dhëna mjaft interesante për pjesëmarrësit e pranshëm në sallë, të emocionuar kur dëgjonin rrëfimet për jetën dhe veprën e bamirëses me famë botërore që përherë ka nda dashuri e bamirësi Goxhe Bojaxhiu -Nënë Tereza.

7. Shkrimtari që jeton dhe vepron në Zvicër z. Bardhec Berisha, paraqiti vështrimin e tij lidhur me librin e Dr. Don Lush Gjergjit „“Porositë e Shën Nënë Terezës për ne”.

Sipas programit të hartuar nga organizatorët freski i dhanë publikut me pikat muzikore të Ansamblit Kulturo Artistik “SHIPONJA” me këngëtaren dhe poeten e mirënjohur Fatime Kalimashi me këngët kushtuar Nënë Terezës.

9. Me poezin „LUTU PËR NE“ aktori Mustafë Shabani, ardhur nga Gjermania u mirëprit paraqitja e tij në skenë ku bëri lidhshmërin e interpretimit me publikun përmbajtjen e poezisë në fjalë që u mirëprit me duartrokitje.

Programin kulturor e përmbylli z. Nue Zalli, kryetar i Shoqatës Bamirëse“ Nënë Terza“ në Zvicër me fjalën e tij në vijim:

Nue Zalli
Nënë Tereza dhe Shën Jeronimi ilir.

Të nderuar të pranishëm, zonja e zotërinj.

Më lejoni që në emër të Shoqatës “Nënë Tereza” në Zvicër dhe Misionit Katolik shqiptar në Lucern, të përshëndes të gjithë të pranishmit dhe të falënderoj gjithë ata që kontribuan në hulumtime dhe prezantime të këtyre dy personaliteteve, shën Jeronimit she shën Nënë Terezës që i dhanë dije, humanizëm dhe besim njerëzimit, duke u bërë rrëfim për të kaluarën tonë në shekuj.

Në bashkorganizim me Misionin Katolik Shqiptarë këtu në Lucern, si dhe aktivistë të shumtë që jetojnë në Zvicër, po bëjmë përpjekje të sjellim tema për ta kërkuar pjesën më të mirë të vetës dhe për ti dhënë kuptim jetës nga e kaluara në të tashmen. Ndoshta edhe për ta rinjohur vetveten, për një të ardhme më të ndritshme.

Sapo dëgjuam kumtesa, mendime dhe konstatime për të kaluarën e cila përshkruhet me personalitete, sikur ishin këto dy figurat, për eruditin e njohur, filolog, filozof dhe teolog, Shën Jeronimi dijetarë nga Iliria.

Si dhe Shën Nënë Terezën, ikonën e shëmbëlltyrës së dashurisë, ndaj njeriut e ndaj Zotit, për t’u bërë madhështi në vete, e dinjitet për ne, sot dhe për jetë e mot.

Rrënjët tona kanë gjenezë dhe kanë histori, sepse kaluam nen shumë regjime, por ruajtëm me krenari gjuhën, shkrimin dhe kulturën.

Kanë lavdi, sepse nga gjiri ynë dolën trima dhe luftëtarë që mbrojtën atdheun dhe identitetin tonë.

Kanë humanizëm, sepse dolën shumë dijetarë, humanist e mjeshtër krijues, që ndriçuan kulturën dhe shkencën shqiptare.

Kanë edhe dhimbje, sepse padrejtësisht na copëtuan në shumë shtete, duke na larguar nga njëri-tjetri.

Por, pavarësisht këtyre sfidave, të gjitha këto e formojnë një Arbëri që, megjithëse jo të plotë, mbetet e pasur në shpirt, histori dhe kulturë, një Arbëri që jeton në zemrat dhe kujtesën tonë.

Civilizimi përshkruhet me arritje në shkencë e teknologji. Por janë ngjarjet dhe proceset ato që e ndryshojnë shoqërinë. Dhe janë personalitetet e kohës ato që krijojnë shëmbëlltyrë, kulturë veprimi dhe vlera. Dhe bota i njeh këto figura me ndikime historike duke krijuar identitetin e ri të civilizimit.

Ku takohen këto dy figura në histori, shën Jeronimi dhe Shën Nënë Tereza?

Të përbashkëta i kanë dijen, besimin, dhe dhuratën në dobi të njerëzimit.
Shënimet na mësojnë se dija e lartë e Shën Jeronimi nuk u pajtua me varfërinë mendore që përfaqësonin masën asaj kohe, me mënyrën e të besuarit dhe ideologjitë perandorake.

Përderisa Nënë Tereza, nuk u pajtua me mjerimin që e shkakton varfëria shpirtërore e njeriut për t’i lënë të braktisurit, të sëmurët pa dinjitet e shpresë.
Ajo u bë vetëmohim në shërbim të tyre dhe protestë ndaj politikës denigruese.

Populli ynë, ka enciklopedi të zgjeruar të dijetarëve. Ka treguar guxim për ta ruajtur gjuhën, kulturën, që janë indikatorë për ta kërkuar lirinë.

Liria nuk është vetëm lëvizje e lirë. Ajo matet me peshën e shpirtit që ia japim identitetit tonë. Popujt që kanë çlirim shpirtëror kanë ardhmëri dhe nuk shuhen kurrë.

Të nderuar të pranishëm

Shën Nënë Tereza na mësoj më së miri se si bëhet dashuria njerëzore.
Këtu në Zvicër, nën emblemën e saj veprojmë si subjekt humanitar për të ndihmuar të gjithë atyre që janë me nevojë.

Me nevojë e kemi edhe ruajtjen e identitetin tonë, sepse është identiteti i nënës.
Me këtë vetëm sa shpalosemi ndaj botës përmes praktikimit të cilësive që kemi, si shembull i mirë për të tjerët.

Dhe në fund më lejoni edhe njëherë që në emër të dy misioneve, të falënderoj të gjithë ata që kanë ardhur nga Kosova, biografin e Nënë Terezës, Dr. Don Lush Gjergjin, historianin e devotshëm Prof. Dr. Muhamet Malaj, drejtorin e shoqatës Nënë Tereza në Kosovë z. Zef Shalën si dhe kontribuesit tjerë.

Moderatorët e nderuar Johona Gashi dhe Dan Morina, që me profesionalizëm dhe elegancë e moderuan këtë mbrëmje.

Ansamblin Shqiponja dhe këngëtaren Fatime Kalimashi, e cila me zërin e sajë të bukur na dhuroj një atmosferë festive.

Aktorin nga gjermania Mustaf Shabani, për interpretimin e tij të mrekullueshëm.
Korin e Misionit Katolik Shqiptar në krye me motrat e nderit, dhe vullnetarët e shumtë të cilët kanë qenë të gatshëm për të ndihmuar në organizimin dhe realizimin e kësaj mbrëmje kulturore.

Dëshirojmë të veçojmë familjen Frrokaj Verën dhe Kastriotin për Aperon që do ta shijomë pas pak.

Piktorët tanë: Arsim Berisha, Daniel Rosaj, Pren Berisha dhe Xholec Deda, të cilët përmes pikturave të tyre plot ngjyra dhe mesazhe e zbukuruan këtë mbrëmje kulturore.

Një falënderim i madhe edhe për ju të dashur mysafirë që me prezencën tuaj e begatuat këtë tribunë që është me interes për gjithë shqiptarët e sidomos për gjenerata që po rriten në mërgatë.

Shpresoj se do të takohemi me tema tjera në vazhdimësi.

Ju faleminderit!

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit