Shkruan Binak Maxharraj
Kur Albin Kurti u zgjodh kryeministër para pesë vitesh, pati premtuar shumë ndryshime. Dy prej premtimeve më të mëdha që ai bëri ishin: largimi i Serbisë nga Kosova dhe lufta kundër korrupsionit.
Së pari, ai premtoi se do ta largonte Serbinë nga Kosova – dhe këtë e bëri. Sot, Serbia nuk është më prezente në Kosovë, dhe ai e largoi bashkë me të gjithë kriminelët e Vuçiqit, pavarësisht se iu deshën punë, durim dhe përkushtim për ta realizuar këtë. Pra, largimi i Serbisë është kryesisht meritë dhe sakrificë e Albin Kurtit. Ai e arriti këtë, ndryshe nga të gjithë kryeministrat para tij, të cilët e lejuan Serbinë brenda Kosovës, madje duke bërë edhe biznese me të.
Së dyti, tani Kurti, pasi fitoi zgjedhjet e sivjetme, po kërkon një mandat të dytë. Me të drejtë ai duhet ta marrë këtë mandat, sepse doli partia e parë dhe i takon të vazhdojë punën e tij. Kjo është e nevojshme për realizimin e premtimit të dytë – luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit – të cilën në mandatin e parë e la në gjysmë për shkak të fokusimit në premtimin e parë, që i mori shumë kohë.
Albin Kurtit i duhet edhe një mandat i dytë për ta çuar deri në fund luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai duhet t’i nxjerrë para drejtësisë “peshqit e mëdhenj” të cilët për 25 vite e vodhën dhe e shkatërruan këtë shtet.
Lufta kundër korrupsionit nuk mund të bëhet nga liderët e tjerë politikë, të cilët vetë kanë qenë të përfshirë në korrupsion. Prandaj, kërkesa për një mandat të dytë për Albin Kurtin si kryeministër është e domosdoshme, nëse Kosova vërtet dëshiron të ecë përpara.
Vetëm me Albin Kurtin, Kosova mund të ecë fuqishëm përpara, sepse ai është i vendosur në mbrojtjen e interesave të vendit, edhe kur për këtë nuk pajtohen ndërkombëtarët. Për të, Kosova dhe shtetndërtimi i saj janë më të rëndësishme se gjithçka tjetër.
Ruajtja e Kosovës brenda kufijve të saj është edhe interesi i tij kryesor, ndryshe nga kryeministrat e mëparshëm, të cilët tentuan të bënin kompromise fatale për vendin, madje duke diskutuar edhe ndryshimin e kufijve.
Me Albin Kurtin, kjo nuk mund të ndodhë, sepse ai është i pakompromis në mbrojtjen e shtetit të Kosovës.
Prandaj, një mandat i dytë për Albin Kurtin është i domosdoshëm, në mënyrë që të nxjerrë para drejtësisë të korruptuarit dhe të konfiskojë pasurinë e paligjshme që u plaçkit nga Kosova për 25 vite me radhë.