Ish-ministri i Brendshëm nga radhët e LDK-së, Agim Veliu, ka deklaruar se “rënia e partisë” nuk mund të lidhet vetëm me heqjen e tij, por është një pasojë e një serie dështimesh nga lidershipi aktual i partisë.
Veliu ka theksuar se në LDK është vendosur si standard dorëheqja në rast të dështimit zgjedhor dhe, sipas tij, tani është momenti që kjo të ndodhë.
“Në LDK është vendosur një standard, i dorëheqjes në rast se partia në zgjedhje nuk ka sukses. Nuk është e vërtetë që Isa Mustafa dhe Avdullah Hoti LDK-në në 12 për qind, se po manipulohet edhe me këtë. LDK-në me 12 për qind e ka sjellë Vjosa Osmani edhe Abdixhiku me bërthamën e VV-së që ishte krijuar brenda LDK-së këta janë shkaktarët që LDK-ja ka rënë 12 për qind”, ka deklaruar ai.
Përsa i përket liderit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, Veliu ka theksuar se ky i fundit është përgjegjës për disa veprime që kanë çuar në këtë situatë.
Për Veliun, përgjegjësia për dështimin e LDK-së bie mbi Abdixhikun dhe ekipin e tij, duke shtuar se ata kishin të gjitha mundësitë për të arritur një rezultat më të mirë, përfshirë mjete financiare dhe mbështetje të brendshme, por nuk arritën të realizonin pritshmëritë e krijuara.
“Isa Mustafa e ka pranuar dështimin, rënien e LDK-së dhe ka ofruar dorëheqje… Nuk po flasim me përqindje, ne po flasim për sukses me arritje, pritjet për sukses të LDK-së për vendin e dytë, sepse ata kanë qenë të bindur se do ta marrin vendin e dytë, e kanë thënë publikisht që po luftojnë për të parin. Edhe pse sondazhet i kanë ditur, edhe Abdixhiku sondazhet i ka ditur, edhe nuk i ka publikuar, ia ka fsheh anëtarësisë, kështu që e ka manipuluar anëtarësinë.
Pritjet i ka ngrit Abdixhiku ai ka thënë se do ta nxjerrë partinë të parën e të tjera, kur e ka bërë këtë atëherë duhet ta marrë përgjegjësinë. Ka bërë renditje skandaloze në listën e zgjedhjeve. Duke e lënë Hotin, ish-kryeministër të 13-tin, kryetarin e GP-së të 14-in, Hykmete Bajramin pas Kica – Xhelilit, të cilën pak më gërvisht i del shenja e VV-së. I ka bërë të gjitha veprimet vetë, ka pasur mjete financiare që unë nuk e di nga të gjitha ato shpenzime, domethënë të gjitha parakushtet i ka pasur për një rezultat të mirë, pritje që e ka ngrit vetë”, ka deklaruar tutje Veliu.