Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka pranuar së fundmi se një takim me presidentin rus Vladimir Putin është në proces finalizimi.
Gjatë një takimi me guvernatorët republikanë në Mar-a-Lago, presidenti i zgjedhur i SHBA tha se kreu i Kremlinit “dëshiron të takohet” dhe se tashmë çdo gjë është në proces organizimi.
Trump nuk hyri në detaje, por hapi mundësinë që një takim të ndodhë pasi ai të marrë detyrën.
“Presidenti Putin dëshiron që ne të shohim njëri-tjetrin. Madje ai e ka thënë këtë publikisht dhe ne duhet t’i japim fund kësaj lufte (në Ukrainë), e cila është një makth i vërtetë”, nënvizoi manjati, duke shtuar se luftës në Ukrainë duhet t’i jepet fund menjëherë.
Gjatë intervistës së tij vjetore të drejtpërdrejtë televizive, Putin tha se është i gatshëm të takohet me Trump “në çdo kohë”.
“Nëse takohemi një ditë me Presidentin e zgjedhur Trump, jam i sigurt se do të kemi shumë për t’i thënë njëri-tjetrit”, tha ai.
Donald Trump, i cili do të marrë detyrën më 20 janar, deklaroi në fushatën e tij zgjedhore se do t’i jepte fund luftës në Ukrainë “brenda 24 orëve”, ndërsa ka bërë thirrje për shpalljen e një “armëpushimi të menjëhershëm” dhe për negociata mes Moskës dhe Kievit.
Evropianët dhe ukrainasit kanë shprehur shqetësime se mund të detyrojë Kievin të bëjë lëshime të mëdha dhe t’i japë një fitore gjeopolitike Kremlinit, ndërsa nën presidentin demokrat në largim Joe Biden, Uashingtoni ishte mbështetësi kryesor i forcave të armatosura ukrainase pas pushtimit të trupave ruse në shkurt 2022 , duke u dhënë atyre materiale me vlerë 65 dhe më shumë se miliarda dollarë.
Gjatë fushatës për Shtëpinë e Bardhë, Trump kritikoi mënyrën se si Biden po e trajton situatën në Ukrainë, duke paralajmëruar se ajo e bën më të mundshme Luftën e Tretë Botërore dhe se Kievi e ka mashtruar SHBA-në duke marrë falas armë me vlerë miliarda dollarë. Ai ka thënë se mund ta zgjidhë konfliktin shpejt duke i sjellë të dyja palët në tryezën e negociatave, por nuk ka treguar se si do ta bëjë këtë.
Në fakt, Trump nuk ka miratuar një plan të veçantë paqeje, thonë aleatët, përfshirë edhe mënyrën se si ai do të bindte Presidentin rus Vladimir Putin dhe Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky që të ulen në të njëjtën tryezë dhe të negociojnë. Ndërsa këshilltarët kanë ofruar ide, vetëm presidenti i zgjedhur, në konsultim me ndihmësit kryesorë, do të vendosë se si të trajtojë diplomacinë e ndjeshme dhe me rrezik të lartë, kanë thënë ata.
Një ide e propozuar brenda zyrës së tranzicionit të Trump, e detajuar nga tre persona afër presidentit të zgjedhur dhe që nuk ishte raportuar më parë, përfshin që Kievi të premtojë se nuk do të bashkohet me NATO-n për të paktën 20 vjet. Në këmbim, SHBA-ja do të vazhdonte të furnizonte Ukrainën me armë për të penguar një sulm të ardhshëm rus.