Shkruar nga Spartak Ngjela
Trump po luan jo si i çmendur, jo si një diktator i mundshëm në Uashington, por me e sakta është se ai po luan për Rusinë.
I.
Këtë po thotë në shtypin perëndimor e gjithë analitike e lartë e politikës aktuale.
Parashikimet atje thonë se mund të ketë ndryshime në Kushtetutën amerikane. Mund te ribëhen zgjedhje te reja. Sepse po konstatojnë që presidenti Trump e ka marrë si i “çmendur” hovin e tij politik në postin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Çmenduria Trump, thonë analistët në Perëndim, po e fut Amerikën dhe Boten ne krizë. Dhe kjo duket si e vërtetë për politikën aktuale të tij.
Në këtë pikë, duhet theksuar që në Amerikë nuk ka shumë rëndësi se çfarë thonë analistët dhe gazetarët e gazetave të mëdha, por se çfarë mendon kapitali i madh, kur ai sheh se presidenca mund ta futë Amerikën dhe Perëndimin në një krizë të madhe financiare.
II.
Demokracia amerikane në thelbin e saj, është një demokraci financiare që drejton të gjithë botën. Dhe ajo, kur ndodhet përballë një lëvizjeje eksentrike që Presidenti i Amerikës po i sjell fuqisë më të madhe financiare të globit tonë, vepron me të gjitha mjetet edhe kundrejt presidentit të zgjedhur nga amerikanët; sepse filozofia amerikane është kjo: Asgjë dhe askush mbi Amerikën.
Atëherë?
Kuptohet se Donald Trump nuk mund ta ketë të gjatë për të qenë president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Por…
Cila nga këto çështje mund të jetë primare, kur në Amerikë është ngritur kjo pyetje: kush është parësor për amerikanët dhe institucionet e shtetit amerikan: presidenti Donald Trump, apo fati historik i Amerikës që po rrezikohet nga ky president i zgjedhur rishtas i Saj?
Opinioni publik i Amerikës, ka likuiduar dhe do të likuidojë gjithmonë çdo president të zgjedhur që kërkon ta cenojë fatin historik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.