Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kishte dhënë një intervistë në televizionin CNN në kohën e luftës së fundit në Kosovë. Ai ishte pyetur për bombardimet e NATO-s.
Kur gazetari e kishte pyetur nëse ai do ta bënte atë që e bëri presidenti i atëhershëm, Bill Klinton, duke iu referuar bombardimit të caqeve serbe nga NATO-ja, Trumpi kishte thënë: “Epo, do ta kisha bërë pak më ndryshe dhe e di që kjo do të tingëllojë keq, por shiko shkatërrimin që kanë shkaktuar në Kosovë.”
“Ne mund të themi që kemi humbur shumë pak njerëz. Sigurisht, kishim avionë 22,860 metra lartësi duke hedhur bomba, por shikoni se çfarë u kemi bërë asaj toke dhe atyre njerëzve dhe vdekjet që i kemi shkaktuar. Tani, ato nuk janë shkaktuar nga ne dhe aleatët, sepse ishim lart në qiell me aeroplanë, por, në një moment, duhej të vendosje trupa në mënyrë që të mos dilnin të gjithë përtej kufijve dhe gjithçka tjetër dhe shumë njerëz pajtohen me këtë” – kishte shtuar ai.
“Tani, a do të kishte pasur të vrarë? Ndoshta, ndoshta më shumë, por, të paktën përfundimisht do të kishte pasur shumë më pak vdekje dhe nuk do t’i kishe pasur shkatërrimin dhe tmerrin që i ke tani” – kishte thënë më tej amerikani që sot e synon rikthimin në Shtëpinë e Bardhë.
“Pra, nuk e di nëse ata e konsiderojnë atë sukses, sepse unë nuk mund ta konsideroj sukses. Ata bombarduan tepër një vend. Të gjithë po iknin në drejtime të ndryshme dhe askush nuk po di çfarë po ndodh dhe vdekjet po vazhdojnë me mijëra” – kishte thënë në fund Trumpi.