Gjykata e Tiranës ka dënuar Princ Leka Zogun me 1 vit burg lidhur me dhunën në pallatin mbretëror, ngjarje e ndodhur në mars 2024.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi zbriti në 8 muaj dhe u vendos pezullim në 16 muaj shërbim prove, për akuzën “Dhuna në familje”.
Gjyqtarja Migena Laska dënoi sot me 10 muaj Gjergj Zaharinë, babain e Elias, ku me gjykim të shkurtuar dënimi zbret në 6 muaj e 20 ditë. Gjykata vendosi ta pezullojë dënimin në 1 vit e 40 ditë me kusht.
E njëjta gjyqtare shpalli pafajësi për Elia Zaharinë, pasi fakti nuk përbën vepër penale. Të tre personat të cilët u morën si të pandehur për “dhunë në familje”, u gjykuan me procedurën e gjykimit të shkurtuar.
Episodi i dhunës në familjen mbretërore u bë publik përmes një video në rrjete sociale. Gjithçka ndodhi brenda Pallatit Mbretëror në rrugën “Murat Toptani” pasditen e 5 marsit 2024. Ndërkohë, më 25 prill Gjykata e Tiranës vendosi zgjidhjen e kurorës martesore mes Princ Lekës dhe aktores së njohur. Leka Zogu ka pranuar nga ana e tij, që vajza 3-vjeçare të lihet nën kujdesin e nënës, Elia, për t’u përgjigjur për kujdesin dhe edukimin e saj.
Princ Leka dhe partnerja e tij aktorja Elia Zaharia, i dhanë fund martesës së tyre 7-vjeçare dhe rreth 1 dekade historie dashurie, fundin e vitit te kaluar, ndërsa zyrtarisht princi e konfirmoi divorcin më 15 janar. Pas ndarjes nga aktorja, Princ Leka ka nisur një histori dashurie me Blerta Celibashin, fotografe pranë Oborrit Mbretëror.