Shërbimi sekret amerikan duket se këtë herë e ka bërë si duhet punën dhe i ka shpëtuar jetën ish-presidentit Trump.
Sherifi i Qarkut Palm Beach, në Florida, doli në një konferencë për mediat pas të shtënave me armë pranë fushës së golfit të Trump. Në fakt ishin agjentët e shërbimit sekret që kanë qëlluar drejt një personi.
Ric Bradshaw tha në një konferencë shtypi se një agjent i Shërbimit Sekret ishte në gjendje të dallonte një tytë pushke dalë nga një gardh në klubin ndërkombëtar të golfit në West Palm Beach dhe se agjenti nisi të qëllojë.
Personi i armatosur ishte 300 deri në 500 metra larg nga ish-presidenti Donald Trump, tha një zyrtar i Shërbimit Sekret. Agjenti vuri re që tyta e pushkës dilte jashtë gjatë kontrollit paraprak, tha zyrtari.
“Personeli i Shërbimit Sekret Amerikan hapi zjarr ndaj një personi të armatosur që ndodhej pranë linjës së pronës dhe kjo çështje është nën hetim”, tha përfaqësuesi i Shërbimit Sekret.
Më pas ishte një qytetar që pa autorin të largohej me një makinë. Ai lajmëroi autoritetet dhe falë dëshmisë u arrit të bëhej ndalimi i tij. Personi në fjalë i la në vendngjarje armën e tipi kallashnikov AK-47 dhe një çantë.
I dyshuari nuk ka bërë asnjë deklaratë në lidhje me përfshirjen e tij në tentativën e supozuar të vrasjes, tha Sherifi i Qarkut Palm Beach, Ric Bradshaw.