Në gjykatore janë kthyer sot dhomat e dy klinikave të Qendrës Klinike Universitare.
Aty u mbajtën seancat për caktim të masës së sigurisë ndaj pesë personave të plagosur e që janë arrestuar për përfshirje në përleshjen e armatosur ndërmjet dy grupeve të dielën në “Aktash” të Prishtinës.
Ekipet e organeve të drejtësisë një herë ndaluan tek Klinika Ortopedike në të cilën po trajtohen disa nga të dyshuarit dhe pastaj vazhduan tek ajo Abdominale për të proceduar me seancën për të dyshuarit e tjerë.
Pas tyre, u konfirmuar nga Gjykata se të gjithëve u janë caktuar nga 30 ditë paraburgim.
Detaje dolën ndërkaq nga dosja e Prokurorisë, që e publikoi Betimi për Drejtësi.
Prokuroria pretendon se Korab Gashi dhe tani i ndjeri Premtim Gashi, të maskuar e me armë tw gjata, AK-47, u nisën drejt lokalit ku ishte Salih Sekiraqa me të cilin Korab Gashi thuhej se kishte mosmarrëveshje dhe kishin për qëllim ‘qërimin e hesapeve’.
Aty qëllimi ishte sipas organit të akuzës, që të vriten Salih Sekiraqa, djali i tij i mitur Sh.S dhe Faton Abazi. Ata nisën të gjuanin në drejtim të lokalit ku kishte edhe njerëz të tjerë.
“Përleshja e armatosur zhvendoset nga lokali “From” në rrugën “Gazmend Zajmi” dhe për pasojë të veprimeve të të dyshuarve Salih Sekiraqa, Faton Abazi, Valdrin Ademi, si dhe të dyshuarve tjerë të panjohur, privohet nga jeta Premtim Gashi. Prokuroria thekson se tani i ndjeri Gashi ishte goditur me pesë plumba, vdekja e të cilit konfirmohet në vend të ngjarjes nga ekipet mjekësore. Ndërsa, të dyshuarit Korab Gashi dhe Valdrin Ademi kanë marrë lëndime trupore në pjesë të ndryshme të trupit dhe u dërguan për trajtim mjekësor në QKUK”, thuhet në dosjen e prokurorisë.
5 plumba i kishte në trup Premtim Gashi që vdiq në vend të ngjarjes por Prokuroria nuk ka arritur të identifikoi cili nga të dyshuarit e ka vrarë.
Pos kësaj, në të dy grupet si tek Sekiraqët ashtu edhe tek Capat, ka persona të tjerë që i ishin bashkuar përleshjes që Policia e Prokuroria nuk ka arritur as t’i identifikojë.
Prokuroria ka dhënë arsyet mbi të cilat e ka bazuar kërkesën që të pandehurit duhet të jenë në paraburgim.
“Rreziku i përsëritjes së veprës penale është tejet i mundshëm dhe i besueshëm se mund të ndodh, për shkakun se në mes palëve të përfshira në veprat penale në këtë rast penal, apo familjarëve të tyre, më parë janë evidentuar incidente për të cilat janë iniciuar procedura penale, dhe duke pasur parasysh raportet ekzistuese mes tyre, bëjnë plotësisht të besueshëm mundësinë që të pandehurit mund të përsërisin veprën penale të Vrasjes së rëndë për të cilën dyshohet se kanë kryer”, thuhet në dosjen e prokurorisë.
5 të arrestuarit besohet se do ta mbajnë paraburgimin në QKUK deri të përfundojnë trajtimin, nën masa të rrepta të sigurisë. Pos vrasjes së rëndë në bashkëkryerje, ata dyshohen edhe për armëmbajtje pa leje.