Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, gjatë një konference online të mërkurën mbrëma tha se nuk kishte ndjerë “presion” nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duke shtuar se “ishte një bisedë e frytshme, ndoshta më e frytshmja që kemi pasur, atmosfera ishte pozitive”.
“Kemi marrë sinjale nga Shtetet e Bashkuara se po diskutojmë për një armëpushim që përfshin objektet energjetike, pra të mos sulmohet infrastruktura energjetike, dhe po flasim gjithashtu për objektet e infrastrukturës civile”, tha ai.
Ai tha se ekipi i tij do të hartojë një listë të objekteve që ata mendojnë se mund të përfshihen dhe do t’ia paraqesin amerikanëve në negociatat e ardhshme.
“Ne folëm vetëm për një central, atë që është nën okupimin rus”, tha ai.
Zelensky poashtu tha se ai dhe Trump diskutuan propozimin amerikan për ta marrë në pronësi centralin bërthamor Zaporizhzhia, i cili ndodhet në jug të Ukrainës dhe është i pushtuar nga Rusia.
Në një shenjë që liderët europianë po ndjekin nga afër diskutimet mes Trumpit, Putinit dhe Zelenskyt, presidenti ukrainas iu përgjigj një telefonate ndërsa po fliste me gazetarët të mërkurën në mbrëmje.