Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Valentina Bunjaku – Rexhepi ka kërkuar të rregullohet ura në liqenin e Badovcit për të bashkuar qytetin e Gjilanit me Prishtinën.
Përmes një postimi në Facebook deputetja përmendi renditjen e Kryeministrit, Albin Kurti në Konventën Kombëtare Demokratike në Çikago duke thënë se po e nënçmon elektoratin e tij dhe popullin e Kosovës.
“Përderisa nga SHBA-ja, i ftuar si mysafir në rreshtin e fundit të Konventës së Demokratëve, e ndonjë takim skutave me këdo që mundet atje, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, flet me rima e fraza për Urën e Ibrit. Bën hajgare e nënçmon elektoratin e tij dhe popullin e Kosovës”, ka shkruar ajo.
Bunjaku – Rexhepi gjithashtu kritikoi edhe kolegët e saj për mos reagim ndaj urës së Badovcit e cila sipas saj tash e sa vite nuk është rregulluar.
“Por ne gjilanasit që çdo ditë kalojmë nëpër Badovc, duhet të bëjmë anashkalim të urës, sepse tanimë afër dy vjet, ura nuk ndërtohet. Derisa kolegët që janë deputetë nga Gjilani e që i përkasin pushtetit, asnjëherë nuk i bëjnë kërkesë kryeministrit për kryerjen e projekteve për Gjilanin, por si zakonisht me urdhër të Dejonës (krejt e dinë tashmë kush është ajo?!), nuk e thonë asnjë fjalë. Aman, insistoni që kjo urë të kryhet! Bëjeni nëse doni edhe për vota, por së paku lehtësojeni për gjilanasit e të tjerët këtë rrugë për Prishtinë, aty ku morët vota me bollëk. Nëse nuk mundeni, apo nuk guxoni, së paku tregoni pak dinjitet, kërkoni që kjo urë të jetë në agjendë të Qeverisë Kurti. Keni përkrahjen time pa rezervë si kolege”, shtoi ndër të tjera ajo.