Avokati Driton Dobruna është dënuar me pesë muaj burgim efektiv për kanosjen e gazetarit Vehbi Kajtazi.
Aktgjykimi është shpallur sot nga Dibran Jusufi, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Në seancë mori pjesë i dëmtuari, gazetari Kajtazi, ndërsa mungoi i akuzuari Dobruna.
Të premten, në shqyrtimin fillestar, Dobruna ishte deklaruar fajtor për kanosjen e gazetarit.
Dobrunës i është ndërprerë masa e paraburgimit, ndërsa dënimi ndaj tij do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.
Avokati nga Gjakova ishte arrestuar pas raportimit të kanosjes derisa i ishte caktuar edhe masa e paraburgimit më 11 tetor 2024.
Ndërkohë, AGK-ja kishte kërkuar reagim të organeve të drejtësisë për Dobrunën dhe gjithë ata që kërcënojnë gazetarët.