Vizita e emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, në Prishtinë është komentuar nga ish-ambasadori Gjergj Dedaj
Sipas Dedajt, mungesa e institucioneve funksionale – si kryetari dhe kryesia e Kuvendit – pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, bën që vizita e Sorensenit të shihet më shumë si një vizitë kurtoazie gjysmë private sesa një ndërhyrje konkrete në procesin e dialogut.
‘’ Vizita e Emisarit të BE, z.Sorensen në Kosovë, mund të konsiderohet si një vizitë kurtoazije gjysmë private nga fakti që Kosova nuk ka institucione të konsoliduara, me mos zgjedhjen e kryetarit dhe kryesisë së Kuvendit të Kosovës, pas certifikimit dhe betimit të deputetëve të zgjedhur në procesin zgjedhor të 9 shkurtit’’, tha Dedaj.
Dedaj konsideron se nëse “Vetëvendosje” nuk është në gjendje të sigurojë shumicën e nevojshme për krijimin e institucioneve, duhet të lejojë partitë e tjera që të tentojnë formimin e qeverisë për të tejkaluar krizën dhe bllokadën aktuale, të cilën ai e cilëson si të dëmshme për vendin.
‘’Si pasojë e këtij sabotimi dhe ngërçi politik, me fajin e LVV si parti e parë e cila e ka për obligim të krijojë institucionet, nëse i ka numrat, në të kundërtën duhet të hapë rrugë për partitë ish opozitare që nëse munden t’ia tejkalojnë këtë krizë dhe shantazh politik të LVV, tejet e dëmshme për Kosovën’’, tha ish-ambasadori.
Dedaj dyshon mbi legjitimitetin e Albin Kurtit dhe Besnik Bislimit për të përfaqësuar Kosovën në takime ndërkombëtare, duke theksuar se pa një Kuvend të konstituar dhe qeveri të re, ata nuk përfaqësojnë interesat shtetërore, por veprojnë vetëm si zyrtarë partiakë.
‘’Pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, deputeti Albin Kurti dhe as vartësi i tij Besnik Bislimi nuk kanë asnjë legjitimitet dhe as mandat kushtetues të bisedojnë në emër të Kosovës dhe as të vendosin asgjë rreth bisedimeve me emisarin e BE dhe agjendën zyrtare politike të Kosovës, pos të bisedojnë si zyrtar partiak tē LVV, pa asnjë përgjegjësi as legjitimitet tjetër shtetëror’’, tha Dedaj.
Dedaj gjithashtu paralajmëron se çdo veprim i ndërmarrë pas datës 23 mars 2025 në emër të institucioneve të Kosovës, pa një mandat të qartë kushtetues, përbën shkelje ligjore dhe vepër penale – një situatë që, sipas tij, po neglizhohet nga Kurti dhe siç i quan Dedaj ‘’vartësit’’ e tij
‘’ Keqpërdorimi antikushtetues i aseteve të Qeverisë së Kosovës, pas 23 marsit 2025,përbën shkelje ligjore dhe vepër penale, ndonëse kjo nuk paraqet problem për deputetin Albin Kurtin dhe ish vartësit e tij’’, përfundoi Dedaj.