spot_img
Friday, October 25, 2024
spot_img

DASH: Qeveria s’e shpjegoi se si ndihmoi bllokada e mallrave serbe në zbutjen e kërcënimeve

Në Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), politikat e Qeverisë së Kosovës lidhur me këtë çështje janë kualifikuar si tekanjoze dhe ndonjëherë edhe sfiduese për investitorët. “Politikat ekonomike, ndonjëherë tekanjoze, të Qeverisë së Kosovës, ndërhyrja politike në ekonomi dhe dialogu i kufizuar publiko-privat gjithashtu paraqesin sfida për investitorët. Në qershor të vitit 2023, Qeveria e Kosovës, duke përmendur shqetësime për sigurinë, ndaloi hyrjen e mallrave finale me origjinë serbe në Kosovë”, thuhet në Raport.

Mospajtimet e faktorit ndërkombëtar me masën e sigurisë ndaj mallrave me origjinë nga Serbia janë shprehur edhe nëpërmjet raporteve të ndryshme. Në atë të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), politikat e Qeverisë së Kosovës lidhur me këtë çështje janë kualifikuar si tekanjoze dhe ndonjëherë edhe sfiduese për investitorët.

“Politikat ekonomike, ndonjëherë tekanjoze, të Qeverisë së Kosovës, ndërhyrja politike në ekonomi dhe dialogu i kufizuar publiko-privat gjithashtu paraqesin sfida për investitorët. Në qershor të vitit 2023, Qeveria e Kosovës, duke përmendur shqetësime për sigurinë, ndaloi hyrjen e mallrave finale me origjinë serbe në Kosovë”, është shkruar në Raportin e DASH-it, i publikuar në gusht, i cili e trajton klimën e investimeve në Kosovë.

Aty më tej është theksuar se Qeveria nuk ka ofruar sqarime se si këto masa kanë ndihmuar në zbutjen e kërcënimeve për sigurinë.

“Kjo ndalesë shkaktoi konfuzion të madh për importuesit dhe ndikoi negativisht te kompanitë në pronësi të subjekteve të huaja në Kosovë, për shkak të ndërprerjeve në zinxhirin e furnizimit. Pavarësisht kërkesave të përsëritura, Qeveria e Kosovës nuk ka ofruar asnjë shpjegim se si kjo ndalesë ka ndihmuar në zbutjen e kërcënimeve për sigurinë”, është shkruar në Raport.

E përfaqësues të bizneseve në Kosovë kanë thënë se masat kanë prodhuar efekt negativ për kompanitë prodhuese evropiane dhe amerikane.

“E kemi shprehur shqetësimin tonë lidhur me ndalimin e importeve të produkteve finale nga Serbia, për shkak se, mes të tjerash, ndalesa i afekton në mënyrë primare interesat komerciale të ndërmarrjeve prodhuese me kapital amerikan dhe evropian. Përveçse publikisht, qëndrimin tonë ia kemi adresuar edhe personalisht kryeministrit të Republikës së Kosovës në korrik të vitit të kaluar”, ka thënë Arian Zeka, drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane. “Ndërlidhja e kësaj mase me aspektin e sigurisë nuk arsyetohet edhe më shumë se një vit më vonë pas vendosjes së saj, meqë në ndërkohë autoritetet përkatëse të Republikës së Kosovës do të ishte dashur të forconin masat e kontrollit kufitar dhe doganor”.

Masa e sigurisë për ndalimin e mallrave serbe u pati vendosur më 14 qershor të vitit të shkuar, të njëjtën ditë kur qenë rrëmbyer tre zyrtarët policorë të Kosovës nga forcat serbe, përreth brezit kufitar. Më pas Qeveria mori vendim për lehtësimin e masës së sigurisë ndaj mallrave, duke e hequr masën e sigurisë vetëm për mallrat e lëndës së parë dhe gjysmë produkte.

Kjo çështje së fundi është riaktualizuar nga Gjermania, nëpërmjet emisarit të saj për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Ai ka paralajmëruar pasoja për Kosovën po qe se Qeveria nuk i heq masat deri në tetorin e sivjetmë, kur do të mbahet Procesi i Berlinit.

“Do të jetë kthesë prapa në besimin që mund të integrojmë rajonin bashkë. Do të jetë shumë keq kjo. Nuk do të ndalemi vetëm pse Kosova po bllokon. Kosova mund të bllokojë vetëm veten. Do të adoptojmë mundësi tjetër për një mekanizëm të përkohshëm, jo CEFTA”, pati deklaruar javën e shkuar emisari Sarrazin në emisionin “Interaktiv” të KTV-së.

Në Qeveri nuk kanë treguar nëse do ta konsiderojnë heqjen e këtyre masave.

Nga dhjetori i vitit 2021, Kosova ka pezulluar pjesëmarrjen në Marrëveshjen për Tregti të Lirë mes vendeve të Evropës Qendrore (CEFTA), pasi që Serbia, Bosnjë-Hercegovina dhe Moldavia kanë refuzuar të diskutojnë për largimin e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) si përfaqësues i Kosovës brenda Marrëveshjes rajonale të tregtisë.
Pas tre vjetësh bllokadë, zyrtarë të Qeverisë kanë deklaruar së fundi se Serbia tash e ka kushtëzuar këtë zgjidhje me heqjen e masave të sigurisë së Kosovës në pikat kufitare me Serbinë. Por Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, ka theksuar se masat e Kosovës nuk kanë të bëjnë me tregtinë, por rrjedhin nga kërcënimet ndaj sigurisë së shtetit.

“Kosova është bërë pjesë e CEFTA-s më 2006. Atëkohë UNMIK-u ka nënshkruar për Kosovën dhe e ardhmja është lënë t’iu definohet autoriteteve të ardhshme të Kosovës. Kosova është e pavarur nga viti 2008, por në CEFTA situata s’ka ndryshuar. Më 2021 kur kemi ardhur kemi pa që s’ka pasur kërkesë zyrtare të deponuar te CEFTA nga Kosova që tash e tutje të përfaqësohet në mënyrë direkte. E kemi bërë një letër zyrtare si gjënë e parë”, ka thënë Zulfaj javën e shkuar në “Interaktiv”.

Ai ka shtuar se Kosova ka kërkuar vetëm barazi, por që kjo është bllokuar menjëherë nga Serbia. Sipas Zulfajt, Gjermania dhe Sarrazin duhet t’i drejtojnë presionin dhe kërkesat nga Serbia “nëse qëndrojnë për barazi”.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit