John Bolton ishte këshilltar për sigurinë kombëtare në Oval Office gjatë mandatit të parë të Donald Trump, i cili synon të rikthehet si president. Sot, ai është një kritik i ashpër i republikanit.
Kërcënimet e fundit të Trump për vendosjen e tarifave – fillimisht kundër Meksikës, Kanadasë dhe Kinës – duhet të merren “shumë seriozisht” edhe në Berlin, thotë Bolton për BILD. Ai shton se Trump ka paralajmëruar disa herë gjatë fushatës zgjedhore për vendosjen e një tarife prej 20% mbi të gjitha importet, përfshirë ato nga Gjermania, një vend eksportues i rëndësishëm.
Shumë nga këto kërcënime mund të jenë thjesht retorikë, beson Bolton: “Por kur Trump përsërit vazhdimisht diçka, ai shpesh e zbaton atë!” Ai shpreh shqetësim për një “luftë globale tregtare” të nisur nga SHBA-të, që do të dëmtonte të gjitha kombet.
Kancelari i ardhshëm mund të thyejë akullin duke luajtur golf
Bolton kritikon faktin që Berlini deri tani ka bërë shumë pak për t’u afruar me Trump dhe thotë se ka nevojë për përpjekje të mëdha: “Pas zgjedhjeve, kancelari i ardhshëm duhet të marrë menjëherë telefonin dhe të propozojë një takim,” këshillon ai. Dhe me humor shton: “Do të ishte një plus nëse kancelari luan golf…” Sepse, sipas tij, kjo është mënyra më efektive për të ndërtuar marrëdhënie me Trump.
Ish-këshilltari i sigurisë kombëtare, John Bolton (76), e di si mendon Trump
Bolton shpreh frikën se Trump mund të manipulohet nga udhëheqësi i Kremlinit, Vladimir Putin, gjatë negociatave të mundshme për përfundimin e luftës në Ukrainë: “Putin e di si ta manipulojë Trump-in.” Ai shton se është e qartë që Trump dëshiron ta përfundojë luftën sa më shpejt të jetë e mundur: “Dhe nuk i intereson kushtet – gjë që nuk janë lajme të mira për Kievin!”
Bolton kujton deklaratat e zv/kongresmenit JD Vance, i cili ka sugjeruar ndarjen e Ukrainës përgjatë vijave aktuale të frontit. Kjo, sipas Bolton, është “një dhuratë për Putinin” dhe do ta vinte NATO-n në një provë të vështirë.
Rreziku i daljes së SHBA-ve nga NATO është “real”
Bolton gjithashtu paralajmëron se rreziku i daljes së SHBA-ve nga NATO është “real”. Ai e quan këtë një “gabim katastrofik” – si për SHBA-të, ashtu edhe për Evropën.
Shpresa e vetme, sipas tij, është që të arrihet ta shpërqendrojnë Trump-in “mjaftueshëm gjatë.” Bolton shpjegon që Trump e sheh aleancën në këtë mënyrë: “Ne mbrojmë Evropën, por nuk përfitojmë asgjë dhe evropianët nuk paguajnë!” Ai shton se Trump injoron faktin që edhe SHBA-të përfitojnë nga një Evropë e qëndrueshme dhe paqësore.
Pavarësisht kësaj, Bolton është i mendimit që NATO-ja duhet të rrisë buxhetet për mbrojtje: Në një botë gjithnjë e më të rrezikshme, shpenzimet ushtarake prej 2% të PBB-së nuk janë më të mjaftueshme. Ai sugjeron që Gjermania duhet të synojë shpenzime prej 3 deri në 4% të PBB-së – deri në 171 miliardë euro në vit.
I zhgënjyer nga presidenca e Joe Biden
Bolton shpreh gjithashtu zhgënjim nga presidenca në përfundim e Joe Biden: “Bota është më e rrezikshme sot, sepse kishim një president të dobët dhe joefektiv…,” përfundon ai.