Në prag të Krishtlindjes, aktori dhe shkrimtari i njohur Çun Lajçi ndau një reflektim prekës dhe plot simbolikë për ndjenjat e tij në këtë ditë të veçantë. Me stilin e tij karakteristik, ai përshkruan një udhëtim shpirtëror që kapërcen kufijtë e feve dhe traditave, duke u ndalur te shpresat, kujtimet dhe identiteti shqiptar.
Teksti i plotë:
Mbrëmë isha Mark e një thërrmi më shumë Muharrem.
Mbrëmë, më thanë besimtarët që bëjnë kryq dhe luten për bukën e së nesërmes, – në mesnatë do t’lindë Jezusi. Unë buzëqesha, por s’ua prisha besimin. Thashë:
“Gëzuar pra për Krishtlindjen!” dhe me besoni se po gëzohem edhe unë, duke shpresuar që mbase Jezusi juaj do të më ringjallë shpresat për një pranverë me lule, për një verë me hoje mjalti, për një vjeshtë me darka lamash, dhe pse jo, – për shitje më t’mirë librash!
Në mesnatë, mbusha gotën me ujë të Rugovës, mbylla sytë dhe fola me Jezusin:
“Jezu, mi fal gabimet! Isha rugovas, por tani s’jam më. Më kanë rrokullisur si cungun e kalbur: “Ti mund të jesh vetëm i Drelit, m’kan thënë, s’je rugovas!” – dhe i Drelit kam mbetur! Por fali Jezu, se mbase kanë qenë të uritur, dhe kur janë ngopur, u jam dukur i tepërt.”
I thashë regjisorit të Shkrelit, Eduartit, që më pati thënë:
“S’bëj film pa ty,” por më harroi si Çashku dhe Koçi para tij. I thashë: “Gëzuar! Mos u bëj merak, Jezusi s’më lë vetëm, nuk më lë as hazreti Isa, sepse unë jam pak i të dyve. Shqiptar jam, me dy shpatulla e dy sy, me një gojë lutjesh për të nesërmen e fëmijëve tanë të shëndoshë e të bukur, që s’do ta harrojnë gjuhën e nënës dhe tokën e babës.”
Pastaj fluturova përtej deteve. I përqafova Antonin, Dritonin, Pjetrin, Zefin, Luigjin… Ah, sa shumë ishin andej Oqeaneve! U lodha duke uruar për Krishtlindjen. Dhe kur u shtriva për të fjetur, mendja më iku në katundin tim të heshtur. Atje vetëm kali sharan dhe qeni cubel shëtisin livadheve. Gjurmët e qenit dhe patkojt e kalit kanë mbetur në rrugët e Drelit.
Gurra e Gjekut ka humbur damarin e ujit që kur vdiq Deda. Kodra e Marashit është mbushur me ferra që kur Niku harroi të marrë frymë. Ti bëre shkollë, por harrove ku ishte kisha e ku është xhamia. Ikët të gjithë andej deteve dhe kurrë s’u kthyet te Bub Zeneli!- sikur më foli Brija e Kocit!
Unë s’jam Pablo Neruda, i thashë o Koc: – “Që ëndrra jote t’jetë ndarë me timen prej territ të detit! Ndoshta të ka kërkuar edhe më parë kur ti s’ishe kërkund, e kur papritur e pakujtuar lundroja bri teje.”
“As Khajami s’jam, që të pi verë e të fle në gjirin e vashave e t’i laj mëkatet në Gurrën e Gjekut!”
Mbrëmë s’isha vetja. Isha pak Jezus, pak Isa, pak Mark dhe një thërrmi më shumë Muharrem, që s’din as të falet, as të bëjë kryq.
Mbrëmë binte borë dhe mëkatet m’i mbulonte; m’i bënte të bardha gjynahet! U afrova të xhamia e vetmuar, deshta ti lutem Zotit, por n’çast gjëmuan varret. Zëri i babës Ali erdhi si bubullimë qielli; – ti rri vetëm shqiptar, gjynahet e feve i mbajë unë!